Rrëfimi rrëqethës i Kelit: Tërmeti i 45 viteve më parë më mori 5 familjarë, mes tyre gruan e fëmijët

Një mëngjes Pashkësh 45 vite më parë, familja e Kelit në Shkodër u zgjua, shkëmbeu urimet por krejt papritur ndodhi një fatkeqësi. 5 prej tyre humbën jetën tragjikisht në të njëjtën ditë për shkak të tërmetit të tmerrshëm të 15 prillit 1979. Keli, i  cili është një prej të mbijetuarve rrëfen në “Ka Një Mesazh  Për Ty” nga “E Diela  Shqiptare” në Tv Klan orët e agonisë së tragjedisë që i mori familjen.


Keli:Në datën 15 prill 1979 në rrethin e Shkodrës ka rënë  një tërmet i rëndë, 6.7 ballë. Aty në fshatin tonë, e ka rrafshuar komplet fshatin, i ka rrafshuar të gjitha shtëpitë në tokë. Prej këtij fshati kanë qenë 15 viktima atë ditë. Ndër 15 viktima, 5 viktima kanë qenë të familjes time.

Ardit Gjebrea: Në çfarë ore ndodhi?

Keli:Ka qenë ora 7 e gjysmë, mëngjes.

Ardit Gjebrea: Ju ishit zgjuar?

Keli:Po, ishim zgjuar. Ne kemi qenë një  familje e madhe prej 17 vjetësh. Atë ditë, se unë jam katolik, ne besojmë, atë ditë për ne ka qenë një festë, e diela e Pashkëve. Kooperativa bujqësore e ka bërë aksion atë ditë, të dilte gjithë populli në punë, mos të merrej më shumë se ashtu ka qenë sistemi.

Ardit Gjebrea: Pra  atë ditë sistemi i asaj kohe që ju mos të festonit e bëri ditë aksioni që ju të shkonit në aksion dhe të punonit. Ndërkohë ju u zgjuat në mëngjes, i bëtë urimet e festës apo jo?

Keli:  Atë ditë, e kishim zakon që të çoheshim në mëngjes të tërë, të hanim mëngjesin dhe pasi të hanim mëngjesin të gjithë, u çuam, u nisëm për të dalë. Pa dalë nga shtëpia, ia filloi tërmeti. Valët e tërmetit ishin jashtëzakonisht të rënda. U shemb shtëpia dykatëshe, u këput muri gjysmë metër mbi tokë dhe u hapën përjashta. Unë isha në kuzhinë me gjithë grua e dy fëmijët, kisha edhe dy pleqtë aty. U çova në këmbë, kapa gruan, gruaja djalin e vogël në krah, kapa djalin e madh për dore për të dalë jashtë, s’kishim ku të dilnim këtej dhe valët e tërmetit ishin kështu (bën shenjë përpara) se trupi i njeriut shkonte sipas valëve. Si përfundim, tavani ra kati i dytë mbi katin e parë, na zuri nën të, s’mundeshim të dilnim, si përfundim u kthyem përmbys e na zuri  komplet brenda. Unë për sekonda s’mundesha të merrja frymë se kur s’mundesh të frysh barkun nuk mundesh të ngopesh me frymë, isha duke dhënë shpirt. Kisha gruan përkrahu, djalin e vogël, djalin e madh, ishim shtrirë të tërë. Në këtë kohë trupi im ishte më lart se trupi i gruas dhe aty ku ishte gruaja  ishte më lirshëm, nuk kishte peshën time.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin fëmijët e tu?

Keli:Djali i madh ka qenë 4 vjeç e gjysmë, i vogli 8-muajsh, gruaja 25 vjeçe. Në këtë kohë, unë s’mundesha të flisja, isha duke dhënë shpirt. Flet gruaja, “aman Kel, mundesh të bësh diçka të dalim  jashtë se mbaruam me gjithë fëmijë?” Zoti i madh atje se çfarë bëri nuk e di, veçse kur foli kjo më foli zemra mua, i thashë vetes u thyen binarët, u larguan gurët, la zhavorrin brenda, kam nxjerrë krahët, jam munduar të dal jashtë, e kam nxjerrë trupin me zor. Unë duke dalë dhe zhavorri e guri duke hyrë në vendin tim. Kur dola unë jashtë ia bëra më keq kësaj, u mbyll komplet e u bllokua kjo brenda.

Ardit Gjebrea: Gruaja?

Keli:Gruaja.

Me shumë mundim, pasi doli jashtë Keli shihte vetëm gërmadha e shkatërrim. Nën to do të zbulonte edhe humbjen e paimagjinueshme.

Keli:Vëllai kishte marrë për të dalë jashtë prej derës tjetër, e kishte zënë muri jashtë. Djali i vëllait,  e kemi gjetur te dera, e kishte kapur në krah dhe kishte rënë me gjithë djalin në krah, muri sipër, e gjetëm në oborr jashtë.

Ardit Gjebrea: Ti e humbe edhe gruan, edhe dy fëmijët?

Keli:Gruan e dy fëmijët. Madje djalin e madh e kanë gjetur shokët, tërë atë kuzhinën e kanë marrë  me lopatë në atë kohë, ka qenë 1 metër gur e rërë. Ai më kishte ikur mua prej dorës, kishte shkuar të hynte në një derë tjetër për të hyrë në shtëpi të madhe. Aty e kishte zënë, aty kishte mbetur dhe s’e kemi gjetur deri në orën 12. Në orën 12 e kanë gjetur ata shokët.

Keli shton se për vite e kaploi ndjesia e fajit që ai kishte mbijetuar por jo fëmijët e tij.

Krijoi familje sërish pas humbjes tragjike të së parës, Keli tregon historinë e emrit të djalit

45 vite më parë, 5 nga familjarët e Kelit humbën jetën për shkak të tërmetit të prillit 1979 në Shkodër. Mes tyre ishin edhe gruaja e dy djemtë, 4 vjeç dhe 8-muajsh. Në rrëfimin që ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan Keli foli për dhimbjen, ndjesinë e fajit dhe mendimin se për të nuk do të kishte një rrugë tjetër.

Me këmbënguljen e familjarëve e të afërmve, ai kërkoi sërish dikë për të ndarë jetën. Fati e takoi me Rexhinën që gjithashtu e njihte dhimbjen e humbjes së një të afërmi pasi vëllai i saj kishte ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare nga një aksident.

Nga ai moment, jeta e të dyve ndryshoi edhe pse dhimbja mbetej gjithnjë e pranishme. Për ta lehtësuar disi, Keli pati njëë kërkesë për Rexhinën që ajo s’ngurroi t’ia plotësonte.


Keli: U bashkuam,  filluam jetën me Rexhinën,  jashtëzakonisht mirë. Unë kisha shumë raste që më shkonte mendja, më kujtoheshin ata, s’harrohen, janë 40 e ca vjet dhe akoma sot i kam në mendje, më kujtohen si atë ditë. Çfarë ka bërë Rexhina për mua nuk e bën kush. Ajo më është gjendur në çdo orë,  në çdo minutë gjithmonë afër. Më ka pëërkëdhelur, më ka përshëndetur, më ka hequr mërzinë, më ka folur fjalët më të mira. Më ka dashur, më ka respektuar, s’më ka rënë kurrë ndesh.

Ardit Gjebrea: Ia kujtoje Rexhinës familjen tënde, flisje për këtë gjë apo preferove që mos ta përmendësh më?

Keli: Dashje, pa dashje mua më kujtohej sa herë. Mundohesha mos ta kujtoja shumë, por sido të ishte mua më thoshte zemra sa herë, më dilnin lot,  më merrte malli dhe e kam patur gjithnjë afër, krah i dajthtë gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Krijove familje me Rexhinën? 

Keli: Po, Rexhina, përveçse ai Zot i madh bëri mrekulli e më nxori mua një njeri si Rexhinën, më dhruoi edhe një familje të dytë, më dhuroi dy fëmijë, dy djem ashtu siç i kisha pasur përpara.

Ardit Gjebrea: Në momentin që lindi djali i parë, të shkoi mendja që t’i vendosje një nga emrat e dy djemve?

Keli: Po, edhe kjo ka ndodhur. Kur lindi djali i parë, me thënë të drejtën, pak me vështirësi por vendosa t’i bie në qafë Rexhinës, t’i lutesha, a ka mundësi,a të vjen keq t’ia vë emrin se kam dëshirë t’ia vë emrin të paktën njërit? Ajo me gjithë qejf e dha mendimin e saj dhe ua vumë emrin atij të madhit emrin atë ditë dhe Rexhina s’pati asnjë të keqe me mua.

Dashuria që lindi nga dhimbja: Më dhe dorën për të filluar një jetë të re për të dytën herë

Dashuria e Kelit dhe Rexhinës ka lindur kur fatet e tyre u lidhën nga dhimbja. Keli kishte humbur gruan, dy fëmijët, vëllain dhe nipin nga tërmeti i prillit 1979 në Shkodër, ndërsa Rexhina vëllain 25-vjeçar nga një aksident gjatë punës.

Mes dhimbjes ata gjetën një shpatull te njëri-tjetri dhe arritën  të krijonin një familje të re. Keli ndien se asgjë nuk mjafton për ta falenderuar Rexhinën për atë që ajo ka bërë për të ndaj e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.


Keli: Sot të kam thirrur këtu për të të falenderuar para të gjithë njerëzve, për të diktuar botërisht se çfarë ke bërë ti për mua, çfarë sakrifice, çfarë guximi ke marrë ti. Unë për vete kam qenë një njeri i rrënuar, i sakatuar, i humbi familja, i humbën shpresat krejt prandaj në kohën që jemi bashkuar bashkë ma ke dhënë dorën për të filluar një jetë të re për së dyti herë. Ti je gjëja më e shtrenjtë për mua, ti je bota për mua.

Rexhina: Faleminderit shumë! Unë nuk kam bërë  kurrgjë, kam bërë vetëm detyrën. Keli ka qenë në një situatë shumë të trishtë, shumë të rëndë, shumë të vështirë dhe familjarët e tij, ama Keli mbi të tëra. Kur jam njohur me Kelin, edhe unë kam pasur një fatkeqësi dhe përmes asaj fatkeqësie jam njohur me Kelin dhe me thënë të drejtën, siç të thashë më përpara, unë e kam kaluar jetën shkëlqyeshëm me Kelin. Kemi qenë një çift që jemi marrë vesh se ne bënim shumë diferencë moshe me njëri-tjetrin, por ai është bërë shumë herë në moshën time dhe unë shumë herë në moshën e tij. Jemi munduar t’i fshijmë lotin njëri-tjetrit më mirë të themi prej ngjarjeve që kemi pasur në jetë, por ka dashur Zoti që pas tërë asaj  fatkeqësie që Keli ka pasur dhe unë kam pasur, na kanë ardhur dy fëmijë të mrekullueshëm në jetë, kemi një familje të shëndoshë dhe të mrekullueshme, dy nuse që nuk mund t’iu them nuse por iu them vajzat tona se ne nuk kemi vajza, ato janë vajzat tona për ne. Kelin e falenderoj fort që ka bërë këtë surprizë, më ka emocionuar shumë dhe tani po dridhem.

Ardit Gjebrea: Do ta keni kujtim shumë të bukur.

Rexhina: Shumë faleminderit! Ne kemi bërë vetëm detyrën si bashkëshortë.

/tvklan.al