#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #edielashqiptare #arditgjebrea #program #aurora #mira #greqi #koma #shtepi #spital #vella #mirenjohje

Vëllai i pësoi hemorragji cerebrale, e panjohura i hapi derën: Më dha çelësat e shtëpisë që ditën e parë!

Mirësia vjen atëherë kur nuk e pret dhe në forma që as nuk ta merr mendja. Historia e Aurorës,  e cila ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” e tregon më së miri këtë. Ajo jeton prej vitesh në Athinë ku është shpërngulur edhe vëllai i saj.

Në vitin 2021, ky i fundit vendos të kthehet në Shqipëri por të nesërmen Aurora dhe familjarët mësojnë një lajm të frikshëm. Vëllai, asokohe 47 vjeç kishte pësuar një hemorragji cerebrale dhe kishte rënë në koma. Ai ndodhej në Tiranë në Spitalin e Traumës dhe të gjithë gjenin mënyra që të koordinoheshin me njëri-tjetrin për të ndenjur pranë.

Kur erdhi radha e saj, tregon Aurora për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo nuk kishte shtëpi në Tiranë që të mundte edhe të gatuante për vëllain. Punëmarrësja e saj në Athinë i kishte folur se veç saj, me të punonte edhe një shqiptare tjetër, Mira, e cila ndodhej në Tiranë. Mira do të ishte personi që do ta priste Aurorën në Tiranë dhe do t’i ofronte ndihmë të pakushtëzuar në  momentin e vështirë ku ajo gjendej.


Aurora: Sa kam arritur në Shqipëri, në Tiranë, këtu në spital, ka ardhur direkt zonja më ka takuar atje në spital.

Ardit Gjebrea: Mira?

Aurora: Mira.

Ardit Gjebrea: Erdhi direkt në spital.

Aurora: Po.

Ardit Gjebrea: Pa gjendjen e vëllait.

Aurora: E pa edhe gjendjen e vëllait si ishte.

Ardit Gjebrea: Të pa edhe ty.

Aurora: Më pa, u takuam njëra me tjetrën. “Ti në shtëpinë time do të jesh si në shtëpinë tënde”, tha. më dha çelësat që ditën e parë kur e takova.

Ardit Gjebrea: Pra të dha çelësat e shtëpisë ku jetonte ajo apo të një shtëpie tjetër?

Aurora: Jo, aty ku jetonte ajo. Ajo jetonte me gocën dhe thotë për të gatuar, për të larë,për të shpëlarë, të gjitha do t’i kesh gati këtu.

Ardit Gjebrea: Një muaj zgjati e gjithë historia.

Aurora: Një muaj zgjati sa ndenja unë aty, përditë, çdo mëngjes e bënte ajo. Ngrihej në mëngjes, ngrihej e para, më bënte kafenë, më bënte mëngjesin që “të shkosh në spital’ thoshte, “të jesh vajzë e fortë”. Merrja mëngjesin t’ia çoja vëllait, shkoja merrja drekën, merrja rrobat, i ngrija.

Ardit Gjebrea: Më fal, ajo gatuante edhe për vëllain tënd?

Aurora: Po.

Ardit Gjebrea: Gatuante për ty edhe për vëllain, shkoje e merrje drekën e bënte gati Mira dhe ti ia çoje vëllait?

Aurora: Po, po. Thashë do marr një dhomë afër spitalit dhe i thashë do iki nga ti. Ajo s’më linte, më donte mua dhe thoshte “nuk do ikësh deri kur të mbarojë”.

Ardit Gjebrea: Derisa të dalë vëllai nga spitali. Ka ardhur ndonjëherë në spital, e ka parë vëllain?

Aurora: Përditë vinte.

Rastësia që bëri bashkë dy heroina: Të jam mirënjohëse gjithë jetën!

Aurora dhe Mira janë njohur nga një rastësi e çuditshme dhe e vështirë prej së cilës kanë krijuar një miqësi të palëkundur. Në vitin 2021, Aurora u detyrua të kthehej në Shqipëri për t’iu gjendur pranë vëllait të saj që kishte pësuar një problem të rëndë shëndetësor.

Vajzat nuk njiheshin nga afër, por punëmarrësja e tyre në Athinë i ndërlidhi me njëra-tjetrën. Mira e priti Aurorën në Tiranë dhe i dha çelësat e shtëpisë që ditën e parë, edhe pse nuk e dinte se kush ishte. Ajo iu gjend pranë në gjithçka për një muaj të tërë, pa ia lëshuar asnjëherë dorën.

Aurora ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” vetëm për ta falenderuar përzemërsisht. Mes lotësh, të dy gratë japin një mesazh të bukur mirësie në rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan.


Aurora: Të jam mirënjohëse për gjithçka që ke bërë për mua. Ti e di shumë mirë pjesën që kemi kaluar me vëllain. Të falenderoj jashtëzakonisht. Ti në familjen time je si motër, si nënë, si gjithçka, edhe te motrat dhe vëllezërit e mi.

Mira: Ti e ke bërë, ti i ke thënë falenderimet e tua, ti edhe vëllai jot.

Aurora: Të jam mirënjohëse gjithë jetën, shumë faleminderit për gjithçka që ke bërë për mua dhe familjen time. Të uroj të gjitha të mirat, të kesh shëndet e jetë sa më të gjatë me Stelën. Të dua  shumë!

Mira: Është një motër e përkryer. Unë bëj me të vërtetë për njerëzit, por kjo heroinë çfarë ka bërë për atë vëlla…la familjen.

Ardit Gjebrea: Shiko, që motra do bëjë për vëllain është normale, por që një njeri nuk njeh fare dikë tjetër dhe të bëjë  kaq shumë për të,heroina në këtë rast mendoj që je ti.Mira: Ardit, ne jemi shqiptarë. Zonja që unë kam punuar që unë siç ju thashë, flas akoma që kam gjithë këto vite që jam kthyer në Shqipëri, kam akoma miqësi, Aurora punonte atje, fëmijët që unë i  prita nga materniteti, Aurora po i rriste për në shkollë. Kur ajo ma thotë dhe unë ditën tjetër i them Aurorën e kam në shtëpi, më thotë mua “çfarë thua, si në shtëpi, pse nuk e çove në hotel?” I thashë dëgjo se edhe atë unë e kam rritur se është shumë e vogël, e kam njohur 23 vjeçe kur unë shkova në punë tek ajo. I thashë dëgjo, ne jemi shqiptarë. Ne nuk i lëmë dot njerëzit te dera me valixhe e aq më tepër që ma ke sjellë ti, por edhe ti mos të ma sillje, si mund ta çoj një gocë të vetme, ajo është vetëm, si mund ta çoj në hotel, si t’i them kur unë kam gjithë këtë shtëpi të madhe, nuk më shqetëson. Jo, do ta mbaj këtu. “Bravo”, tha, “do e mbash aty?” Po, po i thashë, as nuk e vë në diskutim se nuk ka në burrë për krahu, është vetëm, ku do të shkojë, ku do të vijë? Dhe kur i them Aurorës, më thotë “unë do të rri këtu? Me të vërtetë do më mbash?” Çfarë thua i thashë, ne jemi vetëm, tre goca, do kalojmë bukur dhe me të vërtetë kaluam bukur derisa vëllai u bë mirë shyqyr Zotit dhe iku me këmbët e veta në Athinë.

/tvklan.al