Dëshira e mjekëve për t’u larguar nga Shqipëria sa vjen e rritet. Gjetjet e një studimi të shoqatës “Together for Life”  tregojnë se mbi 78 % e mjekëve të anketuar janë të gatshëm të ikin jashtë vendit.

Edhe Urdhri i Mjekut thotë se brenda 4 vitesh, mbi 700 mjekë kanë marrë certifikatën për sjellje të mirë, e cila u shërben për të aplikuar për vend pune jashtë Shqipërisë. Po cilat janë shkaqet kryesore që i detyrojnë bluzat e bardha të braktisin shërbimin shëndetësor shqiptar?

“Presioni nga familjarët, njollosja e emrit të mjekut, trajtimi i mjekut që shpesh herë për ato mungesa të sistemit janë sulmuar mjekët, janë faktor po aq i rëndësishëm sa faktori financiar. Ne rrogat i kemi më të ultat në rajon dhe më të ulta se Kosova. Kemi mungesë të mjekëve, të mjekëve specialistë

“, thotë Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Gati 90 % e mjekëve flasin për mungesa të shërbimeve, qofshin këto në spitale rajonale apo universitare. Madje vendi ynë ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë.

“Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale, kanë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre, për të cilat vet bluzat e bardha kërkojnë të plotësohen disa kushte”.

Shoqata e Infermierëve thotë se mbi 2.500 infermierë janë larguar nga Shqipëria, ndërsa pritet të largohen edhe 2500 të tjerë deri në fund të vitit.

Tv Klan