Pavarësisht pandemisë së koronavirusit, problemet e tërmetit vazhdojnë të jenë ende prezent. “Stop” është ndalur në Sanxhak të Laçit, pasi disa banorë të një pallati janë drejtuar në redaksinë e emisionit duke thënë se ndihen të pasigurt për banesat e tyre.

Ata tregojnë se kanë qenë ndër të parët që janë nxjerrë nga banesat, për t’u strehuar në hotel dhe ekspertiza e ka nxjerrë pallatin për shembje. Por tani nga Bashkia banorëve u thuhet se pallati vetëm do të riparohet.

Nga emisioni “Stop” ata kërkojnë ndihmë të dinë si është e vërteta.

“Jam një banor i pallatit numër 1 Sanxhak, lagjja 5, Laç. Pas tërmetit, ne kemi qenë ndër të parët që na nxorën dhe na strehuan në hotel, institucionet na nxorën DS4, për shembje, tani kemi marrë vesh se është për riparim. Ne nuk dimë asgjë, nuk dimë se kush ka ardhur dhe ka bërë inspektim të thelluar, por është shumë i rrezikshëm për ne. Ata na thonë vetëm se është për riparim. Siç e shihni vetë, ky është një objekt shumë i rrezikshëm”, thotë një banor.

“Kemi bërë një takim me Kryetaren e Bashkisë dhe na thotë se pallati juaj është DS4, por është marrë vendimi për riparim dhe jo për prishje. Ne kemi lindur dhe jemi rritur këtu, ky pallat është bërë me punë vullnetare. Fillimisht zyrtarë të bashkisë na thanë se pallati juaj do të shembet, kështu që evakuoni banesën, hiqni materialet që keni dhe ne ashtu kemi bërë. Kjo na është thënë para situatës së epidemisë. Rrezikojmë jetën tonë në këtë pallat, kjo është Thumana e dytë. Nga emisioni “Stop” kërkojmë që të na zgjidhet ky problem dhe të kemi dokumente zyrtare se çfarë do të bëhet me ne, jo me fjalë. Se fjalët ndryshuan vazhdimisht”, thotë një tjetër.

Benard Palaj, Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Kurbin thotë se nga ekspertiza e thelluar, që është bërë nga Instituti i Ndërtimit, pallati ka dalë me nevojën për përforcim dhe do të ndërhyhet në strukturë e themele, etj. Por nëse vlera e përforcimit e kalon 70% , ai do të shembet. Balaj shprehet, se banorët nuk do të hyjnë në banesa pa u siguruar.

Të gjithë pallatet DS4, DS5 sipas VKM-së ia kemi kaluar institutit të lartë të ndërtimit për akt ekspertizë të thelluar dhe ka ardhur përgjigjja edhe për pallatin që ankohen banorët. Ka ardhur për përforcim, dhe përforcim nuk do të thotë riparim i thjeshtë. Fjala përforcim do të thotë që ai do të kalojë në një fazë tjetër, që do të bëhet një projekt konstruktiv për të dhe do të shikohet analiza ekonomike. Nëse tek ai pallat, vlera e përforcimit, ndërhyrja në muret mbajtëse sepse nuk kanë kolona dhe trarë, e kalon 70 për qind, ky pallat kalon prapë në Këshill Bashkiak dhe kalon për shembje. Qytetarët kanë ardhur, kanë bërë një takim në zyrën time, kanë bërë një takim edhe me kryetaren e Bashkisë dhe u kemi thënë na nisni një shkresë, të cilën e kemi përcjellë tek Instituti i Lartë i Ndërtimit. Për merak të banorëve, të vijë edhe një herë grupi i Institutit të Lartë të Ndërtimit, që ta rishikojmë pallatin. Po të mos ishim në kohë pandemie, besoj do mbyllej për 3 javë, ose 1 muaj, por Covid na ka bërë që të kemi pak vonesa të vogla në rindërtimin e Kurbinit. Ata nuk do të hyjnë brenda pa u plotësuar të gjitha kushtet, pa u bërë projekti i mirëfilltë për përforcimin e pallatit, ndërhyrje në mure mbajtëse etj./tvklan.al