4 parti nuk po formojnë dot koalicion për qeverinë e re në Holandë

Udhëheqësi populist anti-islamik holandez Geert Wilders ka braktisur përpjekjen e tij për t’u bërë kryeministër, pavarësisht fitores dërmuese të partisë së tij në zgjedhjet e vitit 2023.

“Unë mund të bëhem kryeministër vetëm nëse e mbështesin të gjitha partitë në koalicion. Ky nuk ishte rasti. Dashuria për vendin tim dhe votuesit është më e madhe dhe më e rëndësishme se pozicioni im”, tha Wilders në X.

Partia e tij e Lirisë fitoi më shumë vota vitin e kaluar, por kishte nevojë për mbështetjen e partive të tjera për të formuar një koalicion. U pretendua se liderët e të katër partive të përfshira në negociatat e koalicionit do të mbeten në parlament. Kjo do të krijonte mundësinë e një lloj kabineti teknik të përbërë nga ekspertë.

Wilders nuk do të udhëheqë qeverinë, por ai dhe Partia e tij për Liri do të mbeten forca lëvizëse pas administratës së ardhshme.

“Mos harroni: unë do të jem ende kryeministër i Holandës. Me mbështetjen e edhe më shumë holandezëve. Nëse jo nesër, atëherë pasnesër. Sepse zëri i miliona holandezëve do të dëgjohet!”, u shpreh Wilders.

Wilders më 14 Shkurt deklaroi se ishte i gatshëm të shqyrtonte të gjitha opsionet për të formuar një qeveri në vend që të thërriste zgjedhje të reja. Refuzimi i disa anëtarëve të partive të koalicionit për të pranuar disa nga premtimet më ekstreme të Wilders-it e kishte detyruar tashmë atë të heqë masat antikushtetuese, duke përfshirë ndalimin e xhamive, Kuranit, hixhabit si dhe një referendum për daljen nga BE.

Fitorja e Partisë së Lirisë vitin e kaluar jo vetëm që tronditi politikën holandeze, por pati pasoja në të gjithë Evropën pasi Holanda është një nga anëtarët themelues të asaj që tani është Bashkimi Evropian.

Klan News