Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur ditën e sotme se nuk do të ndalojë armët gjermane ndaj Izraelit. Gjykata e Lartë e OKB-së hodhi poshtë kërkesën e Nikaraguas për të ndaluar në mënyrë emergjente furnizimin e Izraelit me armë nga Gjermania.

Këtë ndihmë Nikaragua e ka cilësuar si genocid dhe se Gjermania ka shkelur konventën e OKB-së. Berlini i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se padia është e pabazë. Prej kohësh Gjermania ka qenë një aleat i vendosur i Izraelit dhe furnizuesi i dytë më i madh për armët, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2023, rreth 30% e blerjeve të pajisjeve ushtarake të Izraelit erdhën nga Gjermania, duke arritur në 326.5 milionë Dollarë vitin e kaluar, një rritje dhjetëfish më e lartë se ajo e vitit 2022. Republika e Nikaraguas në Amerikën Qëndrore vijon t’u qëndrojë akuzave të saj ndaj Gjermanisë.

“Shitjet e armëve të Gjermanisë për Izraelin e bënë atë bashkëpunëtor në krimet e supozuara të luftës me Hamasin,” argumenton ajo.

Izraeli ka hedhur poshtë akuzat për genocid dhe thotë se veprimet e tij në Gaza janë të përqëndruara në shkatërrimin e Hamasit. Vendi i Amerikës Qendrore e kishte sjellë çështjen në Hagë në fillim të marsit për t’u kërkuar gjykatësve të lëshojnë masa urgjente për të ndaluar Berlinin që t’i sigurojë Izraelit armë dhe ndihmë të tjera.

Gjermania ishte një nga 15 vendet perëndimore të cilat pezulluan fondet nga OKB, UNRWA-n, duke u bazuar në akuzat se disa nga stafi i agjencisë ishin të përfshirë në sulmet e 7 Tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Në një postim në rrjetin social “X”, ministri gjerman i Punëve të Jashme duke përshëndetur vendimin e e gjykatës, tha: “Gjermaia nuk është palë në konflikt në Lindjen e Mesme. Ne jemi thjesht donatori më i madh i ndihmave humanitare për palestinezët dhe se po punojmë fort dhe në mënyrë urgjente për të siguruar që ndihmat të arrijnë në në popullin e Gazës.”

Nikaragua, një shtet mbështetës ndaj kauzave të palestinezëve, ka shumë të ngjarë që çështjen ta vazhdojë më tej. Ndërkaq SHBA, e cila i siguron Izraelit një vëllim shumë më të madh armësh, nuk u bashkua kurrë me GJND-në.

Kritikët e rastit të Nikaraguas kanë vënë në dukje rekordin e kontrolluar të të drejtave të njeriut në vend. Qeveria e Presidentit Daniel Ortega ka burgosur kundërshtarët dhe ka ndaluar protestat. Në mars, misioni i Mbretërisë së Bashkuar në OKB akuzoi qeverinë për një goditje “të pamëshirshme” ndaj të drejtave të njeriut. /tvklan.al