Është i pari i shënuar me Interin, por ai që do të mbetet gjatë në memorien e tij. Kristjan Asllani do ta kujtojë gjithmonë golin e realizuar ndaj Xhenoas në atë mbrëmje të 4 Marsit.

Mesfushori i kombëtares shqiptare përktheu në gol aksionin e shpejtë të shokëve të skuadrës, për tu vlerësuar si edhe më i bukuri nga tifozët e Interit në muajin që lamë pas. Asllani ekzekutoi me mjeshtëri asistin e Aleksis Sançez për të marrë edhe shumicën e votave në profilin e klubit zikaltër.

Në garë me mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë ishte dhe Dimarco me golin ndaj Atletico Madrid dhe Bisseck me golin ndaj Bolognas. Një motiv më shumë për Asllanin, që në vijim të provojë akoma dhe më tepër me goditjet drejt portës. Mesfushori këtë edicion ka luajtur në 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Interin, por vetëm 6 prej tyre i ka nisur si titullar.

Asllani kërkon sa më shumë minuta deri në fundin e sezonit, në mënyrë që të jetë gati për Kampionatin Europian që do të luhet këtë verë në Gjermani, e Shqipëria do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

Klan News