Ina ka ardhur tek rubrika “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare për kushërirën e saj Xhenin 28-vjeç e cila është me sindromën Down. Ina ka rrëfyer se Xhenit i pëlqen shumë kënga dhe Aurela Gaçen e ka idhull dhe di këngët e saj të gjitha përmendësh. Xheni gjithashtu ëndërron dhe dëshiron që të vishte me fustan nusërie dhe të martohet një ditë. Ina i kishte premtuar asaj që kur të martohej gjatë verës do e vishte dhe atë me fustan nusërie dhe do qëndronte pranë saj gjatë gjithë mbrëmjes së dasmës.

Ardit Gjebrea: Me çfarë merret sot Xheni?

Ina: Xheni është në Qendrën e sindromës Down në Shqipëri, është pjesë e projekteve që ato bëjnë herë pas here për aktivizimin dhe aftësimin e fëmijëve me sindromën Down. Kjo ndodh në ditë të caktuara, por dita e saj është një ditë e thjeshtë, nuk është nga ata persona që zgjohet shumë herët në mëngjes, e pëlqen gjumin. Zgjohet në mëngjes, bën gjërat e saj, më pas pret të ëmën e saj që të vijë dhe të pinë kafe, flasim në Whats App me video.

Ardit Gjebrea: Cili është hobi i saj?

Ina: Hobi i saj është kënga.

Ardit Gjebrea: Ka ndonjë artist apo artiste të preferuar?

Ina: Ka, është Aurela Gaçe, e do jashtë mase.

Ardit Gjebrea: Kam dëgjuar që kur dëgjon këngët e saj, i ka kështu si ilaç.

Ina: Çmendet, ka edhe këngë që emocionohet. Kënga që ajo çmendet është “S’nuk” në bashkëpunim me Fifin, ndërsa kënga që ajo emocionohet pa masë është fustani sepse Xheni ëndërron shumë që të martohet. Ëndërron shumë që të veshë fustanin e bardhë dhe dëshiron që ashtu si ne të krijojë familjen e saj. Ne kemi një histori me këtë këngë, pasi unë i kam premtuar që kur të bëj dasmën time, do ta vishja ashtu si unë, me fustanin e bardhë, me kurorën, do ta ulja pranë meje që të rinim pranë gjithë mbrëmjes, por që pandemia na i prishi planet.

Ardit Gjebrea: Pse mendon që i pëlqen Aurela?

Ina: Xheni është  një person që fal dashuri të pakushtëzuar dhe jam e sigurt që edhe Aurela është një person i tillë. Xheni është një person pa komplekse dhe Aurela është një person pa komplekse. Karakteri që ato kanë dhe karakteri që ato shfaqin me njerëzit është pothuajse e njëjtë dhe ndoshta Xheni gjen veten tek Aurela.

Aurela Gaçe ka ardhur në studion e emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ku ka surprizuar Xhenin dhe kanë kënduar së bashku këngën e saj të preferuar “Fustani”. Një moment ky mjaft emocionues dhe i bukur për Xhenin që do e mbajë mend për gjithë jetën. /tvklan.al