Era e rëndë që vinte nga një apartament në katin e tretë të këtij pallati në lagjen Skënderbeg të Lezhës alarmoi mbrëmjen e kësaj të enjteje banorët, të cilët njoftuan policinë.

Dyshimet se brenda mund të kishte një person të pajetë u konfirmuan sapo autoritetet mbërritën në vendin e ngjarjes. Ishin shërbimet zjarrfikëse që pasi ndërhynë në apartamentin në fjalë, në tualet zbuluan trupin e pajetë të 56-vjeçarit Kujtim Trushit.

Burime zyrtare të policisë thonë se 56-vjeçari dyshohet të ketë humbur jetën për shkaqe natyrale.

“Rreth orës 21:25, në lagjen Skenderbeg, Lezhë, në banesë e tij , është gjetur pa shenja jete shtetasi K.T., 56 vjeç, i cili jetonte i vetëm. Nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera. Nga të dhënat e para dyshohet se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë së Lezhës.

Trushi ishte i divorcuar. Ai mësohet se ishte baba i tre fëmijëve./tvklan.al