Stafi mjekësor i bën masazh kardiak mesfushorit danez, UEFA vendos të ndërpresë ndeshjen

Tifozët në stadiumin “Parker” të Kopenhagenit, futbollistët e Danimarkës dhe ata të Finlandës kanë kaluar momente frike dhe ankthi. Mesfushori danez Christian Eriksen ra në fushë pa ndenja dhe stafi mjekësor i bëri masazh kardiak. Pas disa minutash ai u mor me barelë dhe u dërgua në spital për një trajtim më të specializuar.

Episodi ndodhi në minutë e 43, kur danezi iu afrua në anësore një shoku për të marrë topin, por papritur u shemb në tokë. Mesfushori zikaltër nuk jepte shenja dhe stafi mjekësor i kombëtares e kuptoi që gjendja ishte e rëndë.

Shokët e ekipit e rrethuan për të mos lejuar që të kishte pamje të këtij momenti, e nisën të luteshin, e shumë nuk i mbajtën lotët. Po ashtu edhe tifozët me sytë e mbushur me lot e në ankth shikonin lojtarin e kombëtares në vështirësi.

Tronditëse ishte edhe për bashkëshorten e Eriksenit, Sabrinën, të cilës iu afruan Kjaer dhe Schmeichel për t’i qëndruar afër.  UEFA vendosi që ta pezullonte takimin Danimarkë-Finlandë në minutën e 43 për shkak të një emergjence mjekësore.

Në lidhje me këtë ngjarje, Federata Shqiptare e Futbollit në profilin e saj në Instagram shkroi se institucioni, lojtarët kuqezi dhe tifozët luten për Eriksenin.

Klan News