Erion Isai është kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Kolonjë. Një vendim që sa çuditi aq ishte edhe i pritshëm. Aktori i njohur i humorit nuk është aspak i huaj për institucionet shtetërore. Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave 15 vitet e para të jetës së tij i ka kaluar në Kolonjë.

Erion Isai njoftoi se do të shpërngulet në Ersekë me gjithë familjen, me bashkëshorten Ajlin, dhe vajzën Ajër. Megjithatë fundjavat duket se do ta gjejnë shpesh në kryeqytet, të tre bashkë. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan Isai tha se si detyra e Drejtorit në Teatrin e Kukullave apo e kryebashkiakut nëse do ta ketë, për të janë të përkohshme. Ai theksoi se për të e përjetshme është familja, të qenit regjisor dhe skenarist.

 “Unë jam koshient për një gjë, si tek detyra e drejtorit apo tek e kryebashkiakut nëse do ta kem, di që janë të përkohshme. E përjetshme për mua është familja, të qenit regjisor dhe skenarist, të gjitha të tjerat janë të përkohshme”, tha Isai.

“Vitet me Erionin kanë qenë vrull. Viti i parë për mua ka qenë i vështirë sepse duhet të mësohesha me vrullin e jetës së Erionit. Edhe vitet në vazhdim dhe muajt e fundit kanë qenë po ashtu të vrullshme sepse Erioni çfarëdo që merr në dorë e bën me pasion”, tha Ajlin.

Muajin e kaluar Erion Isait iu desh të jepte dorëheqjen nga pozicioni i drejtuesit të institucionit më të rëndësishëm të kulturës për fëmijë në vend. Në zgjedhjet për pushtetin vendor të 30 Qershorit ai kandidon për t’u bërë kryetar bashkie në Kolonjë. Aq sa një moment i rëndësishëm në karrierë, hyrja në politikë është për Erionin dhe familjen e tij një vendim që iu ndryshon jetën.

I pyetur nëse ai vetë kërkoi ta kandidonin për kryetar bashkie në Kolonjë apo e propozuan, Erion Isai tha: “Lindi si një dëshirë e njerëzve të Partisë Socialiste të zonës, të Nikos, të Elisës, por edhe të kryeministrit për të treguar që janë bashki të vogla, por potenciale të mëdha. Bashkia e Kolonjës është nga bashkitë më të pasura në vend, por jo ekonomikisht. Ekonomikisht është më e varfra. Atje unë kam marrë një shtëpi me qira, të cilën do ta kthej në potencial marketingu për zonën. Do ftoj të gjithë personat publikë për të kaluar një fundjavë falas me kushtin që të promovojnë Kolonjën. Ne jemi një vend që kemi 9 kisha mesjetare, 80% e figurave kryesore që kanë dhënë kontribut në shtet formim dhe komb formim. Kolonja është për t’u studiuar sepse është toka ku fara e mendjes mbin më mirë se në çdo vend tjetër. Dua të theksoj një gjë që unë nuk do ta shes shtëpinë në Tiranë, ne do të jemi konsumues të Tiranës sa herë të lindë nevoja”, shtoi Isai./tvklan.al