EULEX arreston kreun e veteranëve të UÇK


EULEX arreston kreun e veteranëve të UÇK

14:52 25/09/2020

Ndalimi u kërkua nga Gjykata Speciale e Hagës

Policia e EULEX-it në mëngjesin e sotëm ia kishte mësyrë duke i bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Pas më shumë se dy orësh, nga këto zyra policia e EULEX-it ka nxjerrë në pranga kreun e kësaj organizate, Hysni Gucati.

Arrestimi i tij është përcjellë me fishkëllima dhe kundërshtime nga disa ish-luftëtarë të UÇK-së. Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se Gucati do të transferohet në Hagë. Ende nuk janë dhënë arsyet e arrestimit.

Kohëve të fundit në zyra të OVL të UÇK-së nga një person misterioz janë dërguar dosje për të cilat kjo organizatë pretendonte se janë të Gjykatës Speciale. Madje krerët e organizatës nëpërmjet konferencave për media kanë dhënë detaje të këtyre dosjeve, ndërsa kopjet e tyre thonin se ua kanë dorëzuar disa mediave.

Derisa dosjet origjinale ua kanë dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale të cilët ditëve të fundit kanë vizituar shpesh këtë organizatë. Në anën tjetër dje është publikuar edhe aktakuza e parë nga kjo Gjykatë ndaj ish-shefit të Inteligjencës së FSK-së dhe ish-komandantit në Zonën Operative të Llapit Salih Mustafa, i cili u arrestua nga policia e EULEX-it dhe u transferua në Hagë.

Tv Klan



Të ngjashme