Arsyeja e ardhjes së Fatbardhës në studio është kërkesa e një pune të rregullt për bashkëshortin, përfitimi i kempit dhe mbështetje nga institucionet për shkak të gjendjes së skajshme të varfërisë.

Sipas sqarimit të saj, arsyeja e mospërfitimit të kempit ka qenë thjesht arsyeja se nuk ka ditur ndjekjen e procedurave për shkak të mungesës së informacionit.

Bashkëshorti punon pa sigurime shoqërore dhe as gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë prej një aksidenti që e ka detyruar të ketë shufra hekuri në këmbë. Ekonomia e kësaj familjeje nuk arrin dot të përmbushë nevojat bazë.

Jetojnë me një ndihmë ekonomike prej 8000 Lekësh në muaj dhe ato pak para që mund të sigurojë kryefamiljari, ndërsa qiraja e shtëpisë është 7000 Lekë dhe janë 8 anëtarë.

Mirela Milori: Si ia del? Si rrotullohesh në muaj?

Fatbardha Çeku: Me zor, të them të drejtën se edhe faturat e energjisë janë shumë të shtrenjta.

Mirela Milori: Ndërkohë ti shkëputesh, bën punë me ditë kur ke mundësi?

Fatbardha Çeku: Punoj edhe unë kur mundem. Sëmundja është ajo që s’më lë.

Sfidat nuk e kanë dorëzuar këtë familje, që edhe midis skamjes, është mirënjohëse për gjërat e vogla, edhe për tryezën që nuk arrijnë ta mbushin plot me ushqime, por vetëm me dashurinë dhe lidhjen e fortë me njëri-tjetrin./tvklan.al