Qamile Haxhiu, gruaja 64-vjeçare që ka ardhur të tregojë historinë e saj të skamjes dhe varfërisë në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan, rrëfen se familjes së saj i është hequr ndihma ekonomike.

Të ardhurat e kësaj familjeje që banon në një shtëpi të vogël dhe të varfër në Babrru, pa kushte normale për të jetuar, janë rreth 30.000 lekë në muaj, prej të cilave 10.000 shpenzohen për ujë, drita dhe taksa.

Qamilja tregon se ndihma ekonomike i është hequr për shkak se bashkëshortja e djalit ndodhet në një punë të siguruar. Ajo ka kryer ndarjen e djalit nga trungu familjar në certifikatën e familjes, por kjo ka shkaktuar depozitimin e taksave në emrin e saj dhe të djalit. Ajo bën apel për ndihmë pasi nuk ka askënd që mund ta ndihmojë.

Mirela Milori: Ti ke qenë në ndihmë ekonomike, ke marrë?

Qamile Haxhiu: Kam pas marrë ndihmë ekonomike kur më futën burrin në punë në komunë, ma hoqën dhe unë ndava djalin për mos të ma hequr ndihmën ekonomike. Tani i kanë hedhur taksa të tjera djalit sipër, i paguan burri taksat, vijnë dy palë taksa në një banesë e jam detyruar t’i laj.

Mirela Milori: Sa të ardhura ju shkojnë për ujë, drita, taksa?

Qamile Haxhiu: 10.000 lekë në muaj.

Mirela Milori: Ju jetoni me 20.000 lekë të vjetra. Shkolla e fëmijëve është afër apo larg?

Qamile Haxhiu: Shkollën e kishim afër, u prish nga tërmeti, i merrnin fëmijët me furgon dhe na thoshin që do jua japim paratë, se i jep bashkia dhe paguan dy herë, më pas nuk na i kanë dhënë më, i kemi paguar nga xhepi jonë, gjithë lagjja, jo vetëm ne.

Mirela Milori: Sa?

Qamile Haxhiu: Paguanim nga 2000 lekë për fëmijë.

Mirela Milori: Në muaj? Ti kishe dy fëmijë?

Qamile Haxhiu: Po, në muaj, më duheshin 4000 lekë, ta linte furgoni aty, nuk ta merrte pa lekë.

Mirela Milori: Si ia del?

Qamile Haxhiu: Çfarë të bëj? Me sakrifica të mëdha. Jam 64 vjeç dhe dal të punoj sa hyn nusja në shtëpi, të fitoj 500 lekë që të blej diçka për fëmijët. Ç’të bëj, burri rri roje, për 5 lekë, i sëmurë, me ilaçe.

Mirela Milori: Ke shkuar në njësinë administrative? I ke thënë për situatën?

Qamile Haxhiu: Kam shkuar, jua kam thënë dhe kanë ardhur, kanë parë shtëpinë, njëri ishte inxhinier. “Kjo shtëpi nuk është e banueshme”, tha inxhinieri. Më thanë “do të të ndihmojmë”, prit e s’ka, s’më pa kush me sy, i shkova te zyra, i thashë “Çfarë bëhet me familjen time? Ti ma ke parë gjendjen. Çfarë bëhet?” Fare, asgjë.

Mirela Milori: Ju ndihmojnë? Shoqata të ndryshme?

Qamile Haxhiu: Të them të drejtën më kanë ndihmuar, pardje, erdhën të më ndërprisnin ujin se nuk e kisha paguar, ka 3-4 muaj, por ata u habitën dhe ikën, nuk e prenë. Të nesërmen, erdhën me makinë, më hodhën një dorë në krah e donin të flisnin. Më thanë “Nesër do të të vijnë disa ushqime, kam biseduar me një shoqatë” dhe më sollën të nesërmen ushqime. Nuk e prisja, se ai kishte ardhur për të më prisnin ujin e të më gjobiste, më tha vetë, por kur pa gjendjen, më solli ushqime për fëmijët, e falënderoj pa masë.

Mirela Milori: Po vajzat të ndihmojnë dot?

Qamile Haxhiu: Vajzat janë copë-copë për vete. Njëra ka 3 fëmijë, punon të peshku, ç’të bëjë, burri njëherë me punë e njëherë pa punë. Tjetra ka qenë në një kasolle, me borxhe deri në fyt, ç’të më mbajnë vajzat. Të gjithë janë copë-copë, unë jam katastrofë. /tvklan.al