Në hapjen e rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u bë pjesë Besmir Balla, i njohur në rrjetet sociale si “Shëtito” për shkak të videos virale së xhiruar në Itali.

Ai tregon historinë pas videos, për të cilën ai shprehet se ndihet tejet i sulmuar pasi asgjë nuk është ashtu siç duket, madje është keqkuptuar sepse arsyeja e vetme për të cilën ai i është drejtuar shtetit fqinj ishte një punë e ndershme për të rritur të ardhurat e familjes.

Megjithatë, shqetësimi i tij nuk është vetja, por familja e tij që është ndikuar nga kjo histori, sidomos bashkëshortja. Pas 10 vitesh martesë, ajo ka bërë ditën e sotme një kërkesë për divorc, pas 1 viti e gjysmë që është larguar nga shtëpia dhe u shpërngul te familja e saj. Shkaku i kërkesës ishin problemet financiare dhe ekonomike midis tyre, por Besmiri mendon se çdo gjë mund të kapërcehet dhe ai është i gatshëm të punojë për të mos i munguar asgjë familjes së tij.

Besmir Balla: Nga dashuria që kam për të, e dua shumë, e dua familjen, s’dua të shkatërrohet për arsye sepse Zoti sot të ul e të ngre prape dhe kam besim që do ia dal. E ka ndikuar pak pjesa me qera, e ka ndikuar po nga fillimi do fillojmë ne sepse shteti nuk të ndihmon. Kam shkuar në bashki, kërkoja shtëpi sociale, ta paguaja, sepse në Durrës ku rri unë, në plazh, është sezonal. Të premtojnë, thonë se do iu mbaj dimër-verë, por më pas të nxjerrin jashtë, sikur jam unë aktualisht prapë. Do kërkoj prapë shtëpi, por kur jam vetëm nuk të jep njeri hyrje se duan familjarë. Unë jam shumë familjar i rregullt, kam një nuse shumë familjare, por e pa pasura ndonjëherë të bën të shkojë deri këtu. Kjo është pse unë luftoj që t’i kërkoj falje t’i them që e dua më shumë dhe do bëj më shumë të pamundurën që asaj të mos i mungojë gjë.

Ardit Gjebrea: Pasi ke provuar në disa mënyra…

Besmir Balla: Në shumë mënyra, ka bërë një denoncim prapë në Durrës, mori një urdhër mbrojtjeje për 3 muaj për dhunë psikologjike e fizike kur unë nuk jam i dhunshëm, nuk jam. Jam ndoshta nevrik, e pranoj, jam për të drejtën e familjes, për mirë, por ndoshta ndonjëherë kur ngre zërin është edhe ndopak acaruese. Edhe vetë e kuptoj që e shoh në moment dhe them “prit njëherë, ku po shkoj?”, por nuk e kam dashur t’i bëj keq, as nuk dua t’ia bëj sido të shkojnë rrethanat. Nëse ka vendosur mos të vijë të jetojë me mua, nuk më do më, unë ia them këtu publikisht që vërtetë unë e dua me gjithë shpirt. Nuk e do njeri sa e dua unë atë, as fëmijët e mi nuk do i dojë njeri sa i dua unë, sa më dhemb mua shpirti nuk i dhemb njeriu. Pavarësisht rrethanave, dikush mund t’i thotë që “hajde se ke një shtëpi” apo ka dy lekë më tepër, nuk është shtëpia gjithçka, nuk është leku gjithçka, familja është gjithçka. Nuk shkatërrohet familja për hiçgjë. /tvklan.al