Fermerja 20-vjeçare flet për pasionin e saj për bimët



Fermerja 20-vjeçare flet për pasionin e saj për bimët

14:55 02/06/2020

Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën e veçantë me një vajzë 20-vjeçare, e cila është e apasionuar pas bimëve.

Arjana që kur ishte 8 vjeç ndihmonte prindërit e saj dhe sot ajo mund të quhet pa dyshim një fermere, e cila arrin të kryejë proçese të ndryshme bujqësore.

20-vjeçarja studion në Universitetin Bujqësor në Kamëz dhe shprehet se ka qenë pasioni i saj gjithmonë që të bëhej një doktore bimësh.

Gazetarja: Si është të jetosh në fshat?

Arjana: Të jetosh në fshat është si të themi sikur jeton në një botë, që është përtej fantazisë. Ndoshta është e vështirë, por ka kënaqësitë e veta. Është e bukur, është edhe pak e mundimshme, por ja vlen të rrish të jetosh dhe të bësh mundin në fshat. Pasi çdo gjë varet nga këtu, fillon nga këtu.

Gazetarja: Po për çfarë është e mundimshme dhe për çfarë është e bukur?

Arjana:  Ka më shumë mundim se sa jeta në qytet. Nuk mund të kesh dot pushimet që t’i pretendon apo kërkon, që mund të t’i ofrojë qyteti. Pushimet janë shumë të pakta, por është edhe pjesa e kënaqësisë, që ti gjatë kësaj kohe që shikon, që çdo gjë po të shkon me sukses dhe thua po ja arrita dhe kjo është kënaqësia.

Gazetarja: Ti vazhdon shkollën e lartë bujqësore tek Universiteti i Kamzës apo jo?

Arjana: Po për mbrojtje bimësh!

Gazetarja: E ke zgjedhur me dëshirë të plotë, për të qenë në ujërat e punës që ti bën prej vitesh?

Arjana: Po ka qenë një pasion i imi, që gjithmonë thoja do bëhem një doktore bimësh që t’i shëroj bimët, ngaqë i shikoja gjithmonë në vyshkeshin, thaheshin dhe kishin probleme të tjera, që ashtu si dhe njerëzit. Por në momentin që m’u ofrua mundësia që unë të studioj pranë atij universiteti, nuk e mendova dy herë dhe e vazhdova sepse ishte një pasion i imi, pavarësisht se sot është bërë detyrë.

Gazetarja: Që 8 vjeç si ka nisur?

Arjana:  Në fakt gjithmonë e shikoja babin që endej pas punëve, shkonte andej këtej dhe mua më dukej si një lojë. Zakonisht si të gjithë fëmijëve që luanin me kukulla ose me top, mua më pëlqente të shikoja sepse shikoja që kryheshin gjëra nga më të ndryshmet dhe isha kureshtare nga vetë tipi, që jam shumë kurioze. Di shumë gjëra dhe shkoja pranë familjes dhe u thoja do ju ndihmoj dhe unë.

Gazetarja: Kur mësove të bësh një proçes të plotë bujqësor për herë të parë?

Arjana: Në fakt gjithmonë më ka pëlqyer të bëj shartime dhe pothuaj i bëj të gjitha llojet e shartimeve dhe në moshën 10-vjeçare kam arritur të bëj krejt proçesin vetë.

Gazetarja: I mbaje dot mjetet dhe veglat e duhura?

Arjana: Me pak vështirësi, po kam arritur ta bëj vetë, pa ndihmën e askujt./tvklan.al



Të ngjashme