Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevziu e ka konsideruar show atë që po ndodh me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke iu referuar akt-akuzës ndaj Hashim Thaçit i cili u dorëhoq sot nga posti i Presidentit, dhe bastisjes së banesës një ditë më parë të Jakup Krasniqit.

I ftuar në studion e lajmeve të Tv Klan në edicionin e orës 19:30, Fevziu u shpreh se kjo ishte një situatë e paralajmëruar.

Blendi Fevziu thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo Jakup Krasniqi mund të ishin paraqitur në Hagë nëse do t’u bëhej me dije akt-akuza ndaj tyre, pa qenë nevoja për aksione policore dhe bastisje të banesave.

Drini Zeqo: Çfarë po ndodh në Kosovë?

Blendi Fevziu: Po diçka e paralajmëruar praktikisht. Që në momentin që skadoi afati i fundit që Gjykata Speciale duhet të shqyrtonte akt-akuzën e prokurorit dhe të shprehej pro apo kundër saj, gjykata nuk pati një refuzim. Pra në mënyrë automatike, akt-akuza e prokurorit ka shkuar për gjykim. Brenda akt-akuzës është emri i ish-Presidentit të Kosovës dhe e një pjese të drejtuesve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Praktikisht ajo që ka ndodhur është diçka e pritshme që Gjykata Speciale ka marrë si të pandehur pjesën më të madhe të drejtuesve të UÇK. Ajo që të bën përshtypje dhe të duket e pabesueshme në rastin e Kosovës është që marrja e këtyre personave, sidomos e Jakup Krasniqit është bërë përmes një show të çuditshëm, nuk i takon asnjë gjykate dhe asnjë institucioni tjetër që duhet të gjykojë faktet.

Drini Zeqo: Po pse ka ndodhur kjo?

Blendi Fevziu: Këtë nuk di ta shpjegoj. Por si Hashim Thaçi, si Kadri Veseli, si Jakup Krasniqi janë persona të cilët mund të kishin shkuar në Gjykatën Speciale, të ishin paraqitur atje, t’u bëhej me dije akt-akuza dhe të mbaheshin aty. Mënyra se si është arrestuar, si një keqbërës i zakonshëm, Jakup Krasniqi, ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës, kryetar i një partie politike, mënyra se si kanë dashur të arrestojnë Kadri Veselin, i cili mesa duket është informuar më parë dhe është paraqitur vetë në EULEX, mënyra si kanë vepruar me drejtuesit e tjerë, me bastisje, me forca të ndërhyrjes së shpejtë, me mburoja, me jelekë anti-plumb, është në mënyrë absolutisht një show i panevojshëm dhe mizerabël në mënyrën e funksionimit të drejtësisë në Kosovë. Të gjithë këta persona e dinin që ishin të akuzuar, ishin thirrur për intervistat paraprake, ishin paraqitur në Hagë, nuk kishte nevojë të bëhej një show i tillë.

Drini Zeqo: Ju keni patur një shkrim ku analizoni këtë që përmendët pak më parë, por njëkohësisht edhe rolin e Presidentit Hashim Thaçi si politikan aktual. Por edhe për kontributin që ai ka dhënë në luftën e UÇK-së. A duhen ndarë këto dy gjëra dhe si ndajnë njerëzit aktualisht?

Blendi Fevziu: Ndahen edhe kjo është absolutisht e ndashme. Ne mund të jemi dakort dhe mos të jemi dakort me Hashim Thaçin si President i Republikës së Kosovës me Hashim Thaçin si Kryeministër i Kosovës, me Hashim Thaçin si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë apo në pushtet kur ka qenë Kryeministër me Kadri Veselin si ka drejtuar parlamentin apo si ka drejtuar PDK-në, Jakup Krasniqin se si ka vepruar politikisht. Jemi pro apo kundër në bazë edhe të afiliteteve politike. Ndërkohë që ka një unitet, konsensus të plotë të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo në botë. Lufta e UÇK, pra lufta e Kosovës, ishte një nga gjërat dhe një nga faqet më të rëndësishme që shqiptarët kanë luajtur. Hashim Thaçi nuk po dënohet as si President i Kosovës, as si Kryeministër i Kosovës as si një politikan i mirë apo i keq, por po dënohet për luftën që ka bërë. /tvklan.al