Pas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, që suprizoi edhe aktorët kryesorë të politikës në Shqipëri, gazetari Blendi Fevziu sheh shumë pikëpyetje, të cilat duket se do të mbetën pa përgjigje deri të enjten e 21 Korrikut.

Bledi Fevziu, gazetar:

“A i ka ai votat për të rrëzuar qeverinë e Ramës dhe për të emëruar një Kryeministër teknik, që do të ndërtojë një qeveri teknike? Realisht Meta po kërkon zgjedhje të parakohshme, pra po thyen koalicionin me Ramën, duke supozuar që do të dalë dhe në zgjedhje me vetë, apo po bën një presion Ramës, siç pretendohet nga një pjesë e Partisë Socialiste për të riformatuar qeverinë dhe për të rimarrë një marrëveshje të re, një vit përpara zgjedhjeve?

Fevziu e sheh koalicionin qeverisës të ndarë dhe qeverinë të rënë.

Bledi Fevziu, gazetar:

“Qeveria ka rënë. Ka rënë moralisht dhe në aspektin programor. Që do të thotë mazhoranca e prodhuar në 1 Prill të vitit 2013 i ka humbur bazën e saj. Ka që prej zgjedhjeve lokale të 2015 që kjo mazhorancë nuk funksionon më si e bashkuar.”

Por kujt i volisin apo kush humb më shumë nga zgjedhjet e parakohshme?

Bledi Fevziu, gazetar:

“Padyshim që i leverdis më shumë opozitës, e cila nuk do të shkojnë në zgjedhje me një qeveri të drejtuar nga Kryeministri, i cili do të jetë njëkohësisht dhe kryetari i partisë konkurrente me të. Nuk i leverdis me sa duket as Metës, i cili duket se ka një llogari të hapur me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe tenton ta zëvendësojë atë. Dhe nga ana politike një qeveri teknike e mbështetur nga votat e LSI dhe PD, padyshim që i jep më shumë kartë moralisht edhe në opinionin publik këtyre dy forcave politike”

E vështirë për të parashikuar ç’po ndodh pasi partitë kryesore në vend, PS, PD dhe LSI po bëjnë llogaritë e mandateve.

Bledi Fevziu, gazetar:

Është e pamundur që të kalkulosh në këtë moment votat deçizive, pra votat e politikanëve të rëndësishëm dhe deputetëve të rëndësishëm janë të kalkuluar, në këtë moment hynë në lojë pak deputetë, të cilët ndoshta nuk i keni parë kurrë të flasin 4 vjet, të cilët nuk kanë qenë kurrë aktivë 4 vjet dhe që tani kthehen në pre të një pazari, që ngjan me pazarin e gjësë së gjallë, i cili është krejtësisht i pamoralshëm, është krejtësisht jo korrekt, është krejtësisht një prej modeleve më të shëmtuara të politikës shqiptare të tranzicionit të këtyre 25 viteve, por është një pazar që funksionon. Që do të thotë, secila palë kalkulon se kush do të marrë 71 deputetë, për të rrëzuar palën tjetër apo për të mbajtur veten në pushtet”.

Nisur nga kjo Blendi Fevziu ka një përkufizim për ditën në vijim deri të enjten e seancës plenare

Bledi Fevziu, gazetar:

“Është 3 ditëshi më i pisët i politikës shqiptare.”

Tv Klan