Eurodeputeti Knut Fleckenstein tha të enjten se ishte habitur dhe zhgënjyer shumë nga mesazhi që kishte marrë nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në takimin që ata patën ditën e mërkurë me liderët e opozitës.

Dje ne patëm disa shkëmbime me disa ndoshta ish-deputetë tashmë të Kuvendit, së pari me zotin Basha, i cili erdhi me disa liderë të tjerë partish. Ne e bëmë të qartë se e kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, por edhe sikur opozita të ketë tërësisht të drejtë lidhur me akuzat që hedh, bojkotimi i Kuvendit nuk do të zgjidhin problemin në vend

”, tha Fleckenstein duke bërë të qartë pozicionin e eurodeputetëve kundër bojkotit të Parlamentit me anë të djegies së mandateve.

Por ajo që e kishte zhgënjyer më shumë, Fleckenstein tha se ishte “mesazhi i qartë” i shprehur në një fjali të vetme i kryetares së LSI-së.

Së fundmi më lejoni të them se u befasova shumë dhe u çudita por edhe u zhgënjeva shumë nga Kryetarja e LSI-së, për arsye se ajo tha vetëm një fjali, nuk është se foli me ne por tha një fjali në fund të takimit duke na thënë që ata e kanë marrë vendimin e tyre, që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë, për vendin dhe në rast se europianët nuk e kuptojnë këtë gjë atëherë ai nuk është problemi i tyre. Ky është një mesazh i qartë dhe besoj që ata në Bruksel që marrin vendime dhe ata që janë në Shqipëri, duhet ta kuptojnë se në cilën anë gjendet secili prej nesh

”, tha Fleckenstein në një deklaratë për mediat që 7 anëtarët e delegacionit të Parlamentit Europian dhanë të enjten në përfundim të takimeve dy ditore në vendin tonë. /tvklan.al