Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se kriza poltike e tejzgjatur do të japë efekte negative në ekonomi. Gjatë një interviste për Televizionin Klan, shefi i këtij misioni në Shqipëri, Jens Reinke, thotë se edhe debati ekonomik së fundi ka qënë mbi tensionet politike dhe jo me fokus ekonominë.

“Duhet  bërë para me Reformën në Drejtësi dhe forcimin e shtetit ligjor. Fakti që ka patur vonesa në këtë drejtim është negativ. Tashmë duhet të ishin formuar institucionet e drejtësisë dhe të ishte proceduar me Vetting – un, vonesat dërgojnë një sinjal negativ. Në afatin e shkurtër ekonomia shqiptare ka qenë mjaft rezistente. Të dhënat ekonomike kërkojnë një farë kohe për të thënë nëse ka ndikim nga bojkoti apo protestat por në afatin e gjatë pasiguria do të çonte dyshime te aktorët ekonomikë.”

Akuzat e opozitës për përdorimin në ekonomi të parave të kanabisit, Reinke nuk pranon t’i komentojë. Por për të zgjidhja më e mirë është sërish Reforma në Drejtësi.

“Nuk mund të komentoj deklaratat elektorale të partive. Por sigurisht reforma në drejtësi do të shkojë në forcimin e shtetit ligjor dhe do të çojë në një ambient ekonomik më të mirë.”

Jens Reinke, thotë hapur se FMN është kundër uljes së TVSH – së në sektorin e turizmit.

“Ne kemi kundërshtuar marrjen e kësaj mase. Arsyeja e parë ka qenë qendrueshmëria e sistemit të TVSH – së që është burimi krysor i të ardhurave në buxhet, e dyta sepse nuk është se ka shumë për të fituar nga kjo masë. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në këtë sektor nuk paguajnë TVSH. Do të ishte më mirë po të kishte nisur nga fillimi i zbatimit të ligjit për turizmin.”

Shefi i FMN – së zbulon dhe disa detaje se si do të jetë mënyra e re e adminsitrimit të taksës së pronës.

“Projekti është akoma në fazat fillestare. Fokusi është në krjimin e të dhënave për pronat, përfshirë dhe një përafrim të vlerës së tyre me tregun. Pas kësaj qeveria synon që të kalojë në një mënyrë të re taskimi por kjo do ende kohë dhe është një vendim që do t’i takojë qeverisë së ardhshme.”

FMN thotë se Shqipëria duhet të vijojë planin për uljen e përdorimit të euros pasi rritja e saj mund të dëmtojë konsumatorët dhe ndërmarrjet private./TvKlan