Presidenti amerikan Donald Trump la përgjysmë konferencën për shtyp për shkak se një agjent i Shërbimeve Sekrete qëlloi me armë dhe plagosi një person që mendohet se qëndronte me armë jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimet Sekrete njoftuan se incidenti ndodhi një bllok larg kompleksit ku qëndron kreu i shtetit amerikan. Sipas agjencisë, një agjent qëlloi ndaj një të dyshuari, i cili kishte vrapuar me agresivitet ndaj tij.

Më pas, një tjetër agjent u ngjit në podiumin ku po fliste Trump dhe i pëshpëriti diçka në vesh.

“Çfarë ndodhi”, tha Trump dhe më pas u largua sëbashku me të. Pasi Trump dhe stafi i tij u larguan, dhoma e mediave u mbyll duke i lënë të gjithë gazetarët brenda.

Disa minuta më vonë, Presidenti Trump u rikthye në podium dhe tha se situata ishte nën kontroll.

“Forcat e ligjit qëlluan dikë që duket si i dyshuar”, tha Trump. Ai shtoi se nuk dihet nëse personi kishte ndonjë qëllim të keq ndaj tij personalisht.

Autoritetet po hetojnë nëse personi i plagosur ka ndonjë sëmundje mendore./tvklan.al