Komentatori i Fox News dhe ish-ushtaraku Douglas Macgregor pritet të bëhet ambasadori i ri amerikan në Berlin. Ai e njeh Gjermaninë dhe ndan të njëjtat qëndrime me presidentin Trump.

Presidenti amerikan synon vazhdimësinë në kryeqytetin gjerman. Pas Richard Grenell interesat e Shteteve të Bashkuara në Republikën Federale të Gjermanisë do t’i përfaqësojë Douglas McGregor. Ambasadori Grenellit shkaktoi që në javët e para të mandatit të tij pakënaqësi të shumta në Gjermani, sepse  ndërhyte përmes mesazheve në Twitter vazhdimisht në politikën gjermane me këshilla dhe kritika ndaj qeverisë gjermane.

Me ish-kolonelin e Ushtrisë së SHBA-së, Douglas Macgregor, vjen tani në Gjermani gjithashtu një njeri që flet pa shumë diplomaci, dhe që gjithmonë ka mbrojtur politikën e Trumpit. “Falë nesh, gjermanët nuk ndjehen të detyruar të mbrojnë veten e tyre. Dhe Presidenti thjesht tha: përse duhet t’ju mbrojnë ju taksapaguesit amerikanë, nëse nuk jeni të gatshëm të mbroni veten?” – kështu u shpreh Macgregor dy vjet më parë në një intervistë në TV. Macgregor mbante qëndrim kritik që gjatë karrierës së tij ushtarake, dhe pasi u tërhoq nga shërbimi aktiv në vitin 2004, ai i intensifikoi kritikat ndaj strukturave ushtarake amerikane.

Ambasador me përvojë në Gjermani

Macgregor duhet ta njohë më mirë kontekstin politik në Gjermani se paraardhësit të tij. Që kur ishte nxënës në klasën e njëmbëdhjetë, ai ka qëndruar një vit në kuadrin e një programi shkëmbimi në Gjermani. Sipas njoftimeve të mediave, ai ka qenë po ashtu i stacionuar për një kohë të gjatë në Gjermani pas karrierës së tij ushtarake në akademinë prestigjioze ushtarake West Point.

Ai është autor i disa librave – përfshirë edhe një libër për aleancën mes RDGJ me Moskën gjatë Luftës së Ftohtë dhe duhet ta njohë gjuhën gjermane.

Dështim në rrugën drejt majave të karrierës

Në Irak dhe Ballkan, Macgregor pati mundësi ta dëshmonte veten si udhëheqës ushtarak dhe planifikues. Në Luftën e Gjirit Persik në fillim të vitit 1991, ai komandoi një njësi tankesh, e cila eliminoi shpejt dhjetëra automjete të blinduara në Irak.

Para luftës së Kosovës në vitin 1999, në të cilën ai mori pjesë si shef planifikimi për komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura të NATO-s, ai kishte bërë në vitin 1997 rekomandime për një reformë themelore të forcave të armatosura amerikane në “Thyerjen e Phalanx” .

Sidoqoftë këto rekomandime nuk u morën parasysh nga politikanët dhe atij nuk iu akordua gritja në gradën e gjeneralit. Në virin 2004 Macgregor, u tërhoq i zhgënjyer nga shërbimi ushtarak aktiv dhe themeloi një firmë konsulence.

I njohur falë Fox News

Macgregor, është i njohur për një publik të gjerë në SHBA si komentator për çështje të sigurisë në Fox News. Edhe kjo e lidh atë me paraardhësin e tij Grenell. Ndoshta këtu ai duhet t’i ketë rënë në sy edhe Presidentit të SHBA-së Trump, i cili informohet rreth ngjarjeve politike prej Fox News.

Analizat e Macgregor, të cilat transmetohen në këtë televizion, përkojnë me idetë dhe qëndrimet e Presidentit Trump. Ish-oficeri i karrierës kërkon prej kohësh që trupat amerikane të tërhiqen nga Afganistani dhe Siria. Po ashtu ai është dakord edhe me kritikat e Trumpit ndaj NATO-s. Madje Macgregor kishte parashikuar vdekjen e aleancës edhe përpara se Presidenti Francez Emmanuel Macron të shkaktonte bujë me komentin e tij që NATO-s i ka vdekur truri. “NATO nuk vdes, sepse është një zombi”, shkruante Macgregor në një artikull në pranverën e vitit 2019.

Tërheqja e ushtarëve amerikanë në Gjermani

Një ndër çështjet kryesore të Macgregor si ambasador i ri në Gjermani pritet të jetë zbatimi i tërheqjes së paralajmëruar nga Presidentit amerikan të 9.500 nga 34.500 ushtarët amerikanë të stacionuar në Gjermani. Detaje konkrete do të bëhen të njohura këtë javë.

Kur dhe nëse ambasadori i ri amerikan do ta marrë detyrën në Berlin është ende e hapur. Sepse fillimisht duhet që ai të marrë miratimin e senatit – ky proces ka shumë të ngjarë të zgjasë deri vitin e ardhshëm. Dhe nëse Trump do t’i humbasë zgjedhjet presidenciale në nëntor, Macgregori nuk do të jetë në gjendje të vërë thekse në Berlin./DW