Gafa e OSHEE-së me faturën e energjisë së klientit



Gafa e OSHEE-së me faturën e energjisë së klientit

21:10 28/10/2020

Emisioni “Stop” në Tv Klan ishte këtë të Mërkurë në fshatin Paçram të Shkodrës, në Vaun e Dejës, për një problem të qytetarit Artan Matia. Ky i fundit në Mars 2018 është mbifaturuar në vlerën rreth 2 milionë lekë të vjetra.

Si të mos mjaftonte kjo, mbifaturimet kanë vazhduar deri në shtator 2020. Sahati shënon matje të ndryshme nga faturat, duke rënduar pa të drejtë Artanin. Pas shumë ankesave pa zgjidhje, thotë, se alternativa e fundit i ka mbetur “Stopi”.

“Në Mars të 2018-s shkoj të paguaj dritat te OSHEE-ja. Më del një shumë rreth 2 milionë lekë të vjetra. I them, çfarë është kjo shumë, më thonë afrofe. Çfarë mund të bëj? Mund të bëj ankimim. Kam bërë ankimim, kam shkuar muajin tjetër për të bërë pagesën dhe më ka dalë prapë kjo gjë. Më kanë thënë që do të bësh ankimim përsëri derisa të shohim sahatin. Kam shkuar për çdo muaj dhe nuk më kanë dhënë zgjidhje. Kam shkuar pasi kam bërë ankimimin pas tri herësh dhe më kanë thënë që na fal se është ngatërruar emri. Me 21 Maj vjen elektricisti i zonës dhe i OSHEE-së. E verifikojnë sahatin që është në rregull. Përgjatë 2019-s, 5-6 herë më ka ardhur afrofe. Me këtë banesën këtu, llogarite që ka dy llamba dhe vendin e bagëtive që sa mund të shkojë kjo, maksimumi 14-15 kë. Në Mars më vjen 30 mijë faturimi”, tha Matia.

I drejtohemi OSHEE-së së Vaut të Dejës dhe takojmë përgjegjësin Tom Zhuri, i cili mjaftohet të thotë, se ankesa e Artan Matias, do të marrë përgjigje.

Gazetarja: Si qëndron problemi, sepse është bërë dhe një kontroll, nuk ka patur ndërhyrje në sahat, por i qëndron në sistem ky mbifaturim? Mund ta shihni?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Zoti Artan duhet të ketë bërë një ankesë pranë zyrave tona.

Gazetarja: Sa do të zgjasë, drejtor?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës:  Sa do të zgjasë? Tani është një procedurë, që zotëria do të marrë përgjigje.

Gazetarja: A jeni në dijeni, që ankesa zgjat 45 ditë dhe pas 45 ditësh duhet t’i kthehet një përgjigje zotërisë?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Po do t’i kthehet. Normal, që do t’i kthehet.

Gazetarja: 45 ditë është e barabartë me 2 vite o drejtor. Duhet të ishte mbyllur ky muhabet?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës:  Zotëria ka ankesën në sistem dhe vazhdon e trajtohet ankesa. Ne kemi bërë verifikimet për zotërinë këtu.

Gazetarja: Në çfarë konkluzioni keni dalë?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Kemi dalë në konkluzionin, që matësi lexohet për çdo muaj nga lexuesi i zonës, që e kemi përkatës për zonën dhe vazhdon e lexohet matësi.

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Ne kemi dalë në një konkluzion, lexohet matësi për çdo muaj dhe e ka ankesën në sistem. Kemi bërë verifikimet, kemi ngarkuar dokumentacionin dhe kaq.

Gazetarja: Keni sistem këtu, zotëri?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Këtu nuk kemi internet për momentin.

Në sektorin e Kujdesit ndaj Klientit u zbulua se nga viti 2018 deri në 2020-ën, qytetari është faturuar sipas dëshirës së lexuesit të sahatit.

Gazetarja: Të lutem drejtor, shkojmë pak te “Kujdesi Ndaj Klientit”, sepse duhet të ketë internet aty?

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Te “Kujdesi Ndaj Klientit” mundet me e verifikuar zotëria pa problem! Ajo është një pjesë tjetër.

Gazetarja: Të lutem mos u largo vetëm pak!

Përgjegjësi, OSHEE Vau i Dejës: Okej!

Punonjësja: Marsi 2018 është ajo fatura e madhe, që është faturuar, që ka bë dhe ankesën e parë. Pastaj ka qenë Dhjetor i 2018-ës edhe në vazhdim.

Gazetarja: Më thuaj të lutem, sa kanë qenë faturat mujore para dhe pas kësaj?

Punonjësja:  Para ka qenë në rregull, Marsi i 2018-ës është fillimi, që është bërë mbifaturimi. Ka kaluar në Dhjetor 2018, Janar 2019, Shkurt, Mars, Prill Maj 2019…

Gazetarja: Kemi mbifaturim në të gjithë këto muaj?

Punonjësja: Mbifaturime të gjitha muajt. Shtatori i 2020-ës është faturuar afrofe me vlerë referuese.

Gazetarja: Pse?

Punonjësja: Sahati është pa, por nuk është shkruajtur ajo, sesa është pa sahati. Sahati ka mbifaturim qyshkur. Nuk i është shqyrtuar ankesa akoma.

Gazetarja: Ke ndonjë foto këtu në sistem, sesa kë ka në sahat, fotoja e fundit e hedhur këtu?

Punonjësja: 14 206, Shtator 2020.  Është me foto dhe me vlerë referuese, kurse leximi shihe sa është këtu, 32 mijë!

Gazetarja: Okej! Të falenderoj shumë!/tvklan.al




Të ngjashme