Veliaj: Shumica e heshtur vlerëson punët e bëra në Tiranë

Pronarët e banesave që pësuan dëmtime të mesme dhe të lehta nga tërmeti në kryeqytet do të marrin së shpejti paratë e dëmshpërblimit. Teksa inspektoi zyrat e reja të Njësisë Administrative Numër 1, Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se dosjet janë gati dhe do të kalojnë në këshill për miratim.

“Duke i pasur ato para cash mund t’i rregullojmë ca gjëra vetë ose mund të pajtojmë dikë. Ndaj, do jetë edhe një çlirim ekonomik në njësi. Kjo vlen për të 27 njësitë. Do jetë një mënyrë e mirë për të akomoduar të paktën kategorinë më të madhe të njerëzve, që nuk i kishin shtëpitë e shkatërruara plotësisht. Për DS4/DS5, nëse janë shtëpi private, gara ka mbaruar. Po presim të kalojë periudha e ankimimit dhe më pas do fillojmë menjëherë ndërtimin e shtëpive”.

Velija u ndal edhe tek projektet e Bashkisë, për të cilat u shpreh se deri më tani kanë marrë vlerësimin e qytetarëve.

“Shumica e heshtur janë ata që realisht i çojnë gjërat përpara, votojnë me drejtësi, të japin mbështetje dhe kurajo për projektet e mëdha. Ka njerëz që çfarëdo të bësh, do e gjejnë diçka me të cilën merren, por janë në minorancë. Si minorancë, për 5 vjet kanë sulmuar me sherr e shamata çdo projekt, por shumica e heshtur janë ata që dolën para disa ditësh te Parku Rinia dhe e vlerësuan punën e bërë aty”.

Këshilli Bashkiak ka vendosur të emërtojë disa rrugë të Tiranës me emrat e artistëve të shquar.

Tv Klan