Opozita i’u drejtua me një tjetër kërkesë Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.

44 deputetë firmëtarë kërkojnë kundërshtimin e vendimit të Kuvendit, duke e cilësuar në shkelje të Kushtetutës.

Pas dorëzimit të padisë, kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi tha se për herë të parë parlamenti shpalli veten sovran, duke refuzuar vendimet e drejtësisë, për t’i dhënë mbrojtje politike ish-ministres Xhaçka.

“Është në nderin e kësaj gjykate që pa asnjë vonesë, pa zgjatur proceduar me muaj të tërë të mblidhet dhe të vendosë në vend dinjitetin përdhosur nga mazhoranca të anëtarëve të Kushtetueses. Nuk ka ndodhur kurrë të hidhen në kosh me votë politike vendimet e Kushtetuese”.

Sikundër në padinë e parë, edhe në këtë kërkesë mungoi firma e Lulzim Bashës, të cilin Bardhi nuk e kurseu në akuza.

“Basha ka refuzuar nënshkrimin e mocionit kundër Xhaçkës që në Qershor 2022. Arsyet i di ai, do duhet t’i shpjegojë. Është miqësia e një prej bashkëpunëtoreve të tij me Olta Xhaçkën. Politika nuk është pazar, as miqësi, është parim, kushtetutshmëri”.

Lëvizja e radhës e 44 deputetëve të opozitës vjen pasi shumica votoi me 72 vota kundër dërgimit të mocionit të papapajtueshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese në seancën plenare të 11 Prillit.

Ish-ministrja hodhi poshtë akuzat e demokratëve, duke i cilësuar shpifje.

Tv Klan