Supremja hodhi poshtë padinë e prokurorit të Texas

Shpresat e Presidentit amerikan Donald Trump për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve nëpërmjet proceseve gjyqësore kanë marrë një tjetër goditje. Gjykata Supreme në SHBA ka hedhur poshtë një padi të iniciuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, që synonte të bënte të pavlefshme miliona vota në Pensilvania, Xhorxhia, Miçigani dhe Uiskonsini, ku fitues është shpallur Xho Bajden.

Gjykata deklaroi se Teksasi nuk ka të drejtë ligjore për të ndërhyrë në mënyrën se si shtetet e tjera zhvillojnë zgjedhjet.

Të katër shtetet, Pensilvania, Xhorxhia, Miçigani dhe Uiskonsini, i kishin bërë thirrje Gjykatës Supreme të refuzonte padinë, duke thënë se çështja nuk kishte asnjë bazë faktike dhe ofronte pretendime “false”.

Ndaj këtij vendimi reagoi edhe Presidenti Trump, i cili në rrjetet sociale e cilësoi atë një “turp ligjor”.

Më 14 dhjetor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohet votimi në Kolegjin Zgjedhor, ku pritet zyrtarizohet fitorja e Bajden.

Tv Klan