Xhaxhai i Presidentit sirian Bashar al-Asad, është dënuar me 4 vite burgim nga një gjykatë franceze në Paris. 82-vjeçari Rifaat al-Asad u dënua pastrim parash.

Ai akuzohet për përvetësim të fondeve të shtetit sirian për të blerë prona, shtëpi dhe zyra, me vlerë 90 milionë Euro. Pasuritë e tij në Paris dhe Londër do të konfiskohen me vendim gjykate. 82-vjeçari mohon të gjitha këto akuza, ndërsa avokatët e tij thanë se vendimi do të apelohet.

Rifaat al-Asad me shumë gjasa nuk do ta vuajë dënimin me burg për shkak të moshës së tij, por edhe gjendjes shëndetësore. Në muajin Dhjetor 2019, ai ishte i shtruar në një spital në Francë me hemorragji të brendshme.

Dikur ai ka qenë njeriu i dytë më i fuqishëm në Siri, komandanti ushtarak dhe krahu i djathtë i vëllait të tij Hafez që udhëhoqi Sirinë nga viti 1971 deri në vitin 2000.

Që prej vitit 1984, kur Rifaat drejtoi një grusht shteti që dështoi ndaj vëllait të tij, ka jetuar kryesisht në Francë dhe Spanjë. Pas vdekjes së vëllait të tij Hafez në vitin 2000, Rifaat e shpalli veten pasardhës të ligjshëm për të drejtuar vendin, por President u bë nipi i tij Bashar al-Asad. /tvklan.al