Ambasada e SHBA publikon rrëfimin e gjyqtares

Gjyqtarja Saida Dollani është përzgjedhur nga Ambasada Amerikane si shembull i gruas së jashtëzakonshme që ndryshojnë botën dhe na frymëzojnë për të treguar historinë e saj, në kuadër të Muajit të Historisë së Gruas. Ajo mban postin e zëvendëskryetares së Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kompetencat e kryetares së kësaj gjykate.

Në moshën 24-vjeçare, Saida Dollani vendosi të bëhej gjyqtare për të kontribuar në krijimin e shtetit të së drejtës pas diktaturës. Në një video të postuar nga ambasada amerikane ajo ka rrëfyer për pengesat dhe paragjykimet që ka hasur.

“U paragjykova për vendimin që mora të ndjek karrierën e gjyqtares në të njëjtën kohë që isha nënë e dy fëmijëve, 6 dhe 7 vjeçe e gjysmë. Vështirësia e dytë ishte të luftojë me paragjykimin se një grua gjyqtare nuk do të ishte e aftë dhe e fortë, aq sa duhet të gjykonte çështje penale”.

Për këtë iu desh të përballej me kërcënime të mëdha nga krimi i organizuar.

“Në një karrierë të gjatë si gjyqtare pa asnjë kompromis me padrejtësinë dhe të paligjshmen kam hasur si trysni, ashtu edhe kërcënime. Pjesë e kërcënimeve të krimit të organizuar ka qenë edhe familja ime. Bashkëshorti ishte ai që e përjetoi drejtpërdrejt këtë kërcënim”.

Në vitin 2019 bashkëshorti i gjyqtares Dollani u kërcënua me jetë teksa ajo ishte pjesë e trupit gjykues që do dënonte Emiljano Shullazin e grupin e tij. Kur po dilte nga një lokal atij i vendosën pistoletën në gojë, duke i kujtuar që kishte edhe dy fëmijë.

“Pati shumë shqetësime nga puna ime, por ai asnjëherë nuk u bë shqetësim për mua. Gjithmonë më thoshte, ke marrë përsipër të jesh gjyqtare, bëje detyrën tënde sa më mirë, nuk e bën vetëm për fëmijët e tu, e bën për fëmijët e të gjithëve”.

Gjyqtarja Dollani e mbyll videomesazhin e saj me një apel për të gjitha gratë e vajzat që të mos nënvleftësojnë potencialin që kanë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

Tv Klan