Këto janë momentet kur Amari i vogël përqafon nënën e tij. Ai u kthye në krahët e saj pasi u rrëmbye nga gjyshërit një javë më parë. Me djalin në krahë, Ille Gjuni falenderoi policinë.

“Doja të falenderoja Policinë e Durrësit, shtetin, prokurorinë e Durrësit. Djali është mirë është në duar të sigurta.”

Gjyshja Bahrije Gjuni e dorëzoi në polici të miturin të cilin e mbante të fshehur. Pas marrjen në pyetje, policia i vuri prangat 57-vjeçares për akuzën “marrjes padrejtë të fëmijës”. Lidhur me shkaqet që e shtynë atë për të ndërmarrë këtë veprim, gjyshja tha se ka dashur ta rrisë vetë fëmijën.

“Vendosëm së bashku me Rexhepin ta merrnim nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është i djalit tonë. E kam fëmijën e djalit, nuk i bëj keq. Nuk na e linin ta rrisnim ne ndaj e morëm. Nuk kam bërë krim. Na zëvendëson djalin që na vdiq në aksident. Nusja nuk na e jepte ndaj e mora dhe ika tek të afërmit e mi.”

Gjyshja tregoi dhe arsyet pse e dorëzoi nipin.

“Vendosa për shkak të ndjekjes nga policia, por edhe se një vëlla i im u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim. Ata nuk kanë gisht në këtë ngjarje. Edhe djali im që ndodhet në Belgjikë këmbënguli ta ktheja fëmijën tek nëna e tij.”

57-vjeçarja Gjuni shpjegoi para oficerëve të policisë dhe vendet ku ajo qëndroi për 1 javë.

“Kur nusja e solli të shtunën që shkoi e mora dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar të Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit, ku qëndruam për një natë tjetër aty. Ditën e tretë shkova te kushërira ime në Kukës. Më pas, pash në lajme që policia po kontrollonte në Kukës e Has dhe kam shkuar në Tiranë, ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.”

Për ngjarjen më herët u arrestuan gjyshi i të miturit, Rexhep Gjuni dhe kunati i tij Arben Selaj të cilët u lanë në burg nga gjykata e Durrësit.

Për rastin reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Teksa falenderoi autoritetet për punën ndërsa deklaroi se për këtë çështje do të vendosë drejtësia.

Klan News