Shpallen në kërkim 2 autorët e tjerë të ngjarjes. Policia sekuestron paratë e grabitura

Roni Spaho është një prej autorëve të dyshuar të grabitjes së ndodhur mëngjesin e së martës në rrugën e Kavajës në Tiranë. Policia njoftoi këtë të enjte arrestimin e 22-vjeçarit, i dënuar më parë po për vjedhje, si dhe identifikimin e 2 autorëve të tjerë. Ata janë M. Gj., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe M. B.(B)., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë. Të dy këta persona janë shpallur në kërkim.

Mëngjesin e së martës, personat në fjalë grabitën me dhunë punonjësin e një pike valute, 60-vjeçarin Qani Zili. Ky i fundit po transportonte para me motor, kur dy prej autorëve iu afruan po me motor dhe pasi e dhunuan me sende të forta në skafandër, i morën një shumë prej 3.000.000 lekësh të rinj.

Pasi morën paratë, autorët braktisën motorin dhe u larguan me vrap. Ishin pikërisht shenjat e gishtërinjve që lanë në motor, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë që ndihmuan policinë që të binte shumë shpejt në gjurmët e grabitësve. Autoritetet policore arritën gjithashtu që të gjenin edhe paratë e grabitura.

Në njoftimin e saj për mediat, policia shprehet se 22-vjeçari i arrestuar luante rolin e informatorit, duke njoftuar dy personat që ndodheshin në motor e që kryen grabitjen, për lëvizjet e Zilit./tvklan.al