Një grua dhe fëmijët e saj u dhunuan fizikisht pasditen e kësaj të hëne, në shtëpinë e tyre në Lezhë. 33-vjeçarja Dava Ndoj, dyshohet se u dhunua nga kunata e saj, për shkaqe ende të paqarta.

Gazetarja e Klan News në Lezhë, Vera Deda, raporton se gruaja, pasi dha deklarimet e saj në polici u shoqërua në spital, ku po i bëhen ekzaminimet e nevojshme. Në videon më poshtë, mund të shihet edhe momenti kur ajo mbërrin në spital me ambulancë.

Babai i 33-vjeçares, Ndue Gjoni, për mediat tha se ajo vuan prej kohësh dhunën e bashkëshortit dhe familjarëve të tij, ndonëse ka urdhër-mbrojtje nga gjykata. Madje ai thotë se këtë të hënë, e bija nuk u dhunua vetëm nga kunata, por edhe nga pjesëtarë të tjerë të familjes së bashkëshortit.

“Jam babai i Dava Ndoj. Sot e kanë sulmuar vajzën time fizikisht, vjehrri me gjithë vajzën e vet të martuar, djali i vajzës vet, nipi që është në moshë madhore, mbi 20 vjeç, vajza e po kësaj dhe një mbesë tjetër, dy mbesa, kanë sulmuar Davën fizikisht. Dava është me urdhër-mbrojtje, vendimi i gjykatës të premten është i formës së prerë me i çuar energjinë elektrike dhe ujin se janë dy muaj. Çelësat e shtëpisë, nuk i ka pasur Dava, i ka pasur vjehrri. Konfliktet kanë nisur që më 16 janar.

Vajza është e dhunuar, flokët e shkulura, me hematoma, nuk e lëviz qafën. Unë kërkoj vetëm drejtësi, gjithmonë kam kërkuar vetëm drejtësinë, asgjë më tepër. Vjehrri i Davës ka çuar një mik tek vëllai im, jo tek unë dhe i ka thënë ma rregullo punën se Dava po më merr shtëpinë, ai i ka thënë nuk kam punë, çfarë të japë gjykata do të marrë Dava”, tha ai./tvklan.al