Motivi, konfliktet për xhelozi dhe shitja e një banese

Arrestohet 51-vjeçari Artan Ismalaja, i cili paraditen e se hënës vrau me thikë bashkëshorten e tij brenda makinës në afërsi të fshatit Bubq të Krujës.

Masa iu komunikua në ambientet e spitalit të Traumës në kryeqytet ku ai ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë pasi pas krimit tentoi vetëvrasjen duke plagosur veten e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të një magazine që mbante ushqim për kafshët.

Ishte roja e saj që gjeti çiftin e masakruar në makinë dhe që lajmëroi policinë. 45-vjeçarja Klarita Ismalaja kishte marrë plagë të rënda që i kushtuan jetën.

Hetuesit po përpiqen ndërkohë të sqarojnë motivet e krimit. Burime nga grupi hetimor thanë se janë pyetur familjarët, fqinjët dhe të afërmit. Mësohet se kohët e fundit konfliktet në çift kanë qenë të vazhdueshme për shkak të xhelozisë.

Të njëjtat burime thanë se çifti i 2 fëmijëve kishte pasur përplasje edhe për shitjen e një banese në Fushë Krujë. Ata jetonin në Tiranë bashkë me nënën e autorit ndërsa kishin edhe një biznes të vogël.

Ditën e ngjarjes ata kishin shkuar në fushë Krujë për çështjen e banesës, por mesa duket konfliktet janë agravuar duke çuar në krimin e rëndë.

Tv Klan