Parlamenti miraton me shumicë votash marrëveshjen

Parlamenti grek miratoi paraditen e kësaj të mërkure marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për njohjen e ndërsjelltë të lejeve për drejtimin e automjeteve.

Qytetarët shqiptarë që kanë një leje për drejtim automjeti shqiptare, tashmë mund t’a konvertojnë atë në një patentë greke pa qenë nevoja e kryerjes nga e para të provimeve teorike dhe praktike për patentën në vendin fqinj.

I njëjti rregull vlen edhe për qytetarët grekë që duan të konvertojnë patentën e tyre në atë shqiptare.

Por për shtetasit shqiptarë, ligji është i favorshëm pasi u kursen deri në 700 Euro nga shuma që do të paguanin për t’a bërë nga e para patentën në Greqi.

Konvertimi i patentës mund të bëhet duke dorëzuar pranë drejtorive të transportit në qytetet ku banojnë në Greqi, lejen shqiptare të drejtimit të automjetit së bashku me një kërkesë si dhe me raportin përkatës mjekësor që vërteton se janë të aftë fizikisht të drejtojnë një mjet motorik. Ndërsa për shqiptarët që udhëtojnë drejt Greqisë, nuk është nevoja të pajisen me një patentë ndërkombëtare.

Ligji u miratua me votat e shumicës së grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, me përjashtim të partisë pro-ruse Zgjidhja Greke. Marrëveshja e patentave u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve më 11 Maj 2018 si pjesë e paketës për çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Tv Klan