Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të familjes Zeneli nga Lushnja. Landa Zeneli rrëfeu në studio varfërinë e tejskajshme, por edhe problemet e shumta shëndetësore që ajo dhe bashkëshorti i saj po kalojnë.

Ajo është nënë e dy fëmijëve, vajzës 22 vjeç dhe djalit 14 vjeç. Varfëria e madhe e detyroi burrin e saj të ikte në Greqi nga mali, por gjatë rrugës ai u rrëzua nga shkëmbi dhe pësoi dëmtime në tru. Landa tregoi se sot bashkwshorti i saj nuk shikon dhe ka çrregullime mendore.

Mirela Milori: Kur erdhën në jetë fëmijët?

Landa Zeneli: Goca në 15 Qershor të vitit ’97!

Mirela Milori: Sa fëmijë ke?

Landa Zeneli: Kam dy! Djali erdhi në 8 Shtator të 2008-ës.

Mirela Milori: Keni pasur një jetë të vështirë dhe burri vendosi të iki në Greqi, të emigrojë?

Landa Zeneli: Po mori rrugën, se ka qenë fukara në kulm, vuajmë për të ngrënë për të pirë, pa shtëpi, pa asgjë, si mos më keq. Iku dhe ra nga shkëmbi, iu hap kapaku i kokës.

Mirela Milori: Pra vajti emigrant në Greqi? Iku pa dokumente?

Landa Zeneli: Po malit!

Mirela Milori: Aty i ndodh aksidenti, apo vajti në Greqi punoi ca kohë?

Landa Zeneli: Jo gjatë rrugës së pyllit, i ndodhi aksidenti.

Mirela Milori: Në çfarë viti?

Landa Zeneli: S’e mbaj mend, por e kisha gocën.

Mirela Milori: E kishe vajzën, por djalin jo?

Landa Zeneli: Djalin jo!

Mirela Milori: Domethënë para 2008 ka ndodhur!

Landa Zeneli: Po! Ra në gjendje kome, gjendje të rëndë.

Mirela Milori: Sa kohë ndenji në gjendje të rëndë?

Landa Zeneli: Po ndenji ca, vuajta ca kohë nëpër spitale, u verbua nga sytë, iu hap kapaku i kokës.

Mirela Milori: Dhe në çfarë gjendje mbeti pas këtij aksidenti?

Landa Zeneli: Tani nuk më sheh, është me të meta mendore, ikën kot më kot, s’është për vete. Si mos më keq dhe ai./tvklan.al