Guardiola barazon Mourinhon në Champions



Guardiola barazon Mourinhon në Champions

23:05 15/04/2021

Spanjolli arrin portugezin për pjesëmarrje në gjysmëfinale

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, barazoi rekordin e Jose Mourinho. Tekniku spanjoll kaloi për herë të tetë në fazën gjysmëfinale të Champions League me tre skuadra të ndryshme.

Vetëm Mourinho, i cili ka qenë protagonist i një seri takimesh të ndezura me Pep, ndërsa ishin në krye të Real Madridit dhe Barcelonës, ka arritur të tilla paraqitje në fazën e parafundit të garës.

Portugezi ka arritur në gjysmëfinale me katër klube të ndryshme; Porto, Chelsea, Inter dhe Real Madrid, ndërsa e fitoi trofeun në krye të Portos dhe Interit.

Ndërkohë, Guardiola, i ka drejtuar të tre klubet e tij drejt gjysmëfinales me Barcelonën, Bayern Munich dhe së fundmi Manchester City, por e ngriti për herë të fundit titullin në sezonin 2010-2011, ndërsa ishte ende me katalanasit.

Sa u përket trofeve, Guardiola, në rast triumfi, ka mundësi të barazojë Bob Paisley, Carlo Ancelotti-n dhe Zinedine Zidane, të cilët janë trajnerët e vetëm me nga 3 trofe të fituara.

Zidane mund të bëhet gjithashtu trajneri i vetëm që arrin të fitojë 4 trofe të Ligës së Kampioneve. Ndeshjet e fundit të Champions regjistruan edhe statistika të tjera.

Jude Bellingham me 17 vjet e 289 ditë u bë lojtari i 2-të më i ri që shënon në fazën e nokautit. Bojan Krkiç me Barcelonën në 2008 kundër Schalke 04 me 17 vjeç dhe 217 ditë mban këtë rekord. Ndërsa Chelsea është kualifikuar për në gjysmëfinale të Champions për herë të tetë, më shumë se çdo ekip tjetër anglez në historinë e garës.

Tv Klan







Të ngjashme