Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit në parlamentin e Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare, të cilat kanë publikuar edhe deklaratën e Haradinaj.

Kreu i AAK shprehet se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion që mbulon shkeljet kushtetuese të qeverisë dhe duke parë sesi deputetët, me urdhër politik, tërhiqen zvvarrë nga policia, sesi përjashtohen arbitrarisht deputetët e opozitës nga Kuvendi, jep dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Haradinaj thekson se në mandatin e tij si deputet është munduar të ngrejë shqetësime në interes të vendit, por është injoruar nga uzurpatorët e pushtetit të Kuvendit. Sipas tij, pas ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës nuk është më një institucion demokratik, ndaj për këtë arsye Haradinaj thotë se nuk e sheh më veten pjesë të kësaj legjislature. /tvklan.al