“Stroke” është një sëmundje që prek trurin dhe ndodh pikërisht atëherë kur një pjesë e trurit ndalon së funksionuari, ose nuk e kryen funksionin e tij të plotë. Kjo sëmundje është e njohur ndryshe si goditja në tru, e cila ka nevojë për ndërhyrje emergjente dhe lë pasoja të rënda, madje ka raste që shkon deri në fatalitet, duke i marrë jetën personave të prekur.

Piro Paparisto, mjek i përgjithshëm dhe patolog ishte, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, për të zbuluar më shumë rreth kësaj sëmundjeje, simptomave dhe trajtimit që mund të jetë i nevojshëm.

“Aksidentet vaskulare në tru apo në zemër janë shkaku i vdekjeve në Shqipëri dhe në gjithë botën, por mund të bëhet punë për t’i parandaluar. Shpeshtësia e këtyre goditjeve ndodh në mosha të vjetra, sepse procesi që ndodh për bllokimin e një vaze do vite. Arsyet që çojnë në ngushtimin apo bllokimin e një vaze janë të shumta. Enët e gjakut që ne kemi në trupin tonë janë si tubacionet që ne kemi në shtëpi. Nëse uji vjen me presion të lartë ka probabilitet më të lartë për ta çarë tubin. Nëse përdorim yndyrë ka probabilitet të vishet tubi dhe disa nga faktorët që ndikojnë në trupin tonë janë përdorimi i tepërt i yndyrnave, presioni i lartë i gjakut, diabeti, duhani dhe obeziteti. Kur ti ke bllokim të një ene gjaku, në fillim ke një farë ulje të furnizimit me oksigjen për zemrën dhe trurin. Kur kjo zgjatet në kohë çon në vdekje të qelizave. Fillimisht shfaqet ishemia dhe shoqërohet me dhimbje, mpirje, paaftësi për të lëvizur muskujt. Masat parandaluese janë kontrollet e vazhdueshme mjekësore, ushqimi i shëndetshëm, moskonsumimi i duhanit dhe aktiviteti fizik”,

tha Paparisto.

/tvklan.al