Hetimet për vjedhjen e Thesarit në Kosovë



Hetimet për vjedhjen e Thesarit në Kosovë

18:00 22/10/2020

Prokuroria kërkon 30 ditë burg për zyrtarin e arrestuar

Është paraqitur para gjykatës zyrtari i Departamentit të Thesarit të Shtetit, Labinot Gruda, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar për transaksion të mbi 2 milionë eurove.

Avokati mbrojtës i tij, Veton Rrecaj thotë se pretendimet e prokurorisë janë të pavërteta dhe nuk janë të bazuara në argumente.

“Prokuroria paraqiti tendencën por asnjë provë konkrete relevante. Kërkesa ishte e supozuar, nuk pati argumente”.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami thotë se transaksioni është i gjurmuar dhe dihet ku kanë shkuar mjetet.

“Ky është një krim ekonomik, ku janë krijuar qasje të paautorizuara, është bërë keqpërdorim detyre dhe janë thyer passworde. Nuk është marrë asnjë nënshkrim i imi e as i Drejtorit të Thesarit”.

Labinot Gruda, zyrtar financiar prej 11 vjetësh në Departamentin e Thesarit u raportua se i përket Partisë Demokratike të Kosovës, gjë të cilën e mohuan nga kjo parti. Ndërsa pronarët e kompanisë LDA Group ku po dyshohet se janë transferuar mjetet nga Thesari janë të afërt me Nismën Social Demokrate.

Madje vajza e pronarit të kompanisë Hajrie Gashi ishte këshilltare e Zv/Kryeministres Albulena Balaj Halimaj, e cila i përket Nismës Socialdemokrate. Por ajo u lirua menjëherë mbrëmë nga detyra, me t’u publikuar lajmi i skandalit ku janë të përfshirë familjarët e saj.

Nisma Social Demokrate është distancuar nga pronarët e kompanisë, duke thënë se është e pa kompromis në luftën kundër krimit dhe kujtdo qoftë që përfshihet në veprime të tilla kriminale. 

Tv Klan





Të ngjashme