Sami Lupi nga Librazhdi jeton prej 52 vitesh në varfëri ekstreme dhe streha e tij është një godinë e rrënuar që më shumë i ngjan një kasolleje. Lupi, është baba i katër fëmijëve dhe jeton në fshatin Drenavicë, që është mes pyjeve.

Fëmijët janë të moshave 12-17 vjeç, 3 vajza e 1 djalë. Samiu ka lindur në këtë fshat të harruar e të braktisur, e prej 22 vitesh nuk ka mundur të punojë.

Të ardhurat e vetme në muaj janë vetëm 6700 Lekë, që nuk mjaftojnë për asgjë. Bashkëshortja e tij është e sëmurë nga zemra e tiroidet dhe i nevojiten ilaçe. Sami Lupi tregon se nuk ka mundur të përfitojë strehim social dhe as një KEMP, pasi siç thotë s’e ka ndihmuar bashkia.

Që në çastet e para të hyrjes në studio, Samiu tregon rrugën që ka përshkuar për të ardhur në studion e emisionit “Historia Ime” në Tv Klan. Në rastin e tij, edhe një furgon i vogël duket një luks që nuk kishte mundësi ta paguante e është detyruar të udhëtojë një pjesë të mirë të rrugës në këmbë. Mes lotësh, babai i katër fëmijëve, nis rrëfimin e tij.

Mirela Milori: Ku jeton?

Sami Lupi: Unë jam nga rrethi i Librazhdit, fshati Kostenjë, Drenavicë.

Mirela Milori: Drenavicë quhet fshati yt? Sa larg është nga Librazhdi?

Sami Lupi: Nga Librazhdi, unë jam zgjuar në orën 4:30 të mëngjesit dhe kam ardhur tani.

Mirela Milori: Në orën 4:30. Ke marrë një furgon apo si?

Sami Lupi: Furgon nuk kisha mundësi, më ndihmuan.

Mirela Milori: Ke ardhur në këmbë?

Sami Lupi: Makinë më makinë. Ishte makina e një firme që më ndihmoi deri në Librazhd, në Librazhd më ndihmoi dikush tjetër nga Korça.

Mirela Milori: Sa fëmijë ke?

Sami Lupi: Katër.

Sami Lupi përlotet e thotë se është i lodhur, shkolla ndodhet larg, ndërsa ata ndodhen në mes të askundit.

Sami Lupi: Gjithë kohës je në stres. “Pse?” do të thuash ti. E para, fshati është boshatisur, shkolla është një orë e gjysmë larg për t’i çuar, në pyll dhe një orë e gjysmë t’i marrësh.

Mirela Milori: I çon ti fëmijët?

Sami Lupi: I çoj dhe i marr.

Mirela Milori: Çfarë moshe kanë fëmijët?

Sami Lupi: Nga mosha 12-17.

Mirela Milori: Vajza, djem?

Sami Lupi: 3 vajza dhe një djalë.

Mirela Milori: I shoqëron ti në shkollë?

Sami Lupi: Nuk ka njeri aty, unë jam./tvklan.al