Thaçi e Hoti ndërpresin vizitën

Publikimi i akuzave nga prokurori special ndaj Presidentit Hashim Thaçi e politikanëve të tjerë të lartë kosovarë ka sjellë anulimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit që do të mbahej në datë 27 në Washington.

Pas Thaçit, edhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka anuluar vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Hoti ka njoftuar se për shkak të akuzave të ngritura nga prokurori special nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën”.

Ai ka vazhduar takimet sot në  Bruksel për t’u kthyer më pas në Prishtinë.

Lidhur me anulimin e bisedimeve në Washington ka reaguar edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka theksuar se në situatën e krijuar është e domosdoshme që më parë të mblidhet i gjithë faktori politikë kosovar.

“Para se të takohemi me Vuçiçin nevojitet të takohemi edhe njëherë mes vete, të ulemi të gjithë bashke e të  bisedojmë të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve sepse pa funksionimin e tyre është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Bashkë kryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, Carl Bildt, ka reaguar pas lajmit për anulinim e vizitë  së Kryeministrit Hoti në Washington.

Ka shkruar në Twitter se ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.

Tv Klan