Kina dhe Hungaria u zotuan të rrisin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë në industrinë e energjisë bërthamore.

Kryeministri Viktor Orban, pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping gjatë vizitës në Budapest, u shpreh se Hungaria është i vetmi vend që mbështet paqen dhe jo luftën në Ukrainë.

“Zëri ynë në Evropë është i vetmuar, Europa sot mbështet luftën, përjashtimi i vetëm është Hungaria, që kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime paqeje, dhe ne mbështesim të gjitha përpjekjet ndërkombëtare drejt paqes të paraqitur nga Presidenti Xi Jinping.”

Mes të tjerash edhe lideri kinez u shpreh se përpjekjet ndërkombëtare drejt paqes do të vijojnë për të siguruar rendin botëror në sfondin e konflikteve.

“Ne pajtohemi që Kina dhe Hungaria ndajnë pikëpamje dhe pozicione të ngjashme për situatën ndërkombëtare dhe rajonale dhe janë të gatshme të forcojnë komunikimin dhe koordinimin në arenën shumëpalëshe. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet ndërkombëtare drejt paqes.”

Të dy vendet u zotuan se do të ecin gjithashtu përpara në ndërtimin e projekteve kyçe duke përfshirë rindërtimin e projektit hekurudhor Budapest-Beograd. Orban ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Rusinë, në të njëjtën kohë duke mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo duke mos lejuar furnizimin e Ukrainës me armë.

Lideri kinez Xi Jinping mbërriti në Budapest pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd. Turneu i tij evropian nisi më 5 Maj në Francë, ku presidenti Emmanuel Macron dhe liderët e BE-së i kërkuan atij t’i lehtësojë kufizimet tregtare të Kinës dhe ta përdorë ndikimin e tij për t’i bërë trysni presidentit rus, Vladimir Putin, ta ndalë agresionin në Ukrainë.

Klan News