Kalimi në kufi, vetëm me certifikatë vaksinimi ose test negativ

Në Kosovë hyjnë në fuqi të hënën masat e reja anticovid të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Sipas vendimit të qeverisë, të gjithë personat që do të hyjnë në pikat kufitare në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshminë e vaksinimit me të paktën një dozë ose testin PCR apo antigen negativ.

Në të kundërt kushdo që nuk arrin ofrojë një nga dëshmitë e mësipërme është i detyruar të vetëizolohet për një periudhë 7-ditore.

Në masat e reja përfshihet edhe rikthimi i orës policore, teksa do të ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Gjithashtu restorantet dhe lokalet do të ofrojnë shërbim vetëm në ambientet e jashtme deri në orën 21:30 minuta të mbrëmjes.

Ndalohet gjatë dy javëve të ardhshme edhe veprimtaria e klubeve të natës, dasmat, ahengjet, festivalet e koncertet.

Institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 Shtator.

Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës.

Masë kjo që sipas ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale në vend.

Qeveria vendosi ndër të tjera që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet me dy javë dhe mësimi të startojë më 13 Shtator.

Masat e reja hyjnë në fuqi në një kohë kur Kosova po përballet me një numër të madh infektimesh dhe fatalitetesh, ndërsa një situatë e vështirë paraqitet edhe në spitale ku janë më shumë se 1 mijë të shtruar, pjesa më e madhe në oksigjeno-terapi.

Tv Klan