Lojtarët në pritje të akteve nënligjore

5 vite nga mbyllja e 2 mijë pikave fizike të basteve në të gjithë vendin, aktiviteti i tyre do të rifillojë, por tashmë vetëm online. Por pavarësisht se ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit” ka hyrë në fuqi prej pak ditësh, për zbatimin e tyre në praktikë lojtarët e basteve online do të duhet të presin edhe pak kohë.

Kjo pasi aktet nënligjore që duhet të dalin për zbatim të këtij ligji ende nuk janë miratuar nga qeveria. Vetë ligji parashikon që qeveria ka 6 muaj afat për nxjerrjen e tyre dhe bërjen funksionale të të gjitha ndryshimeve ligjore. Për rrjedhojë, ende komisioni përkatës, i cili do duhej të bënte publik emrat e kompanive të licencuara për të ushtruar këtë aktivitet, deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë subjekt. Sipas projektligjit, qeveria do të japë deri në 10 licenca për baste sportive online.

Referuar ndryshimeve në ligj të botuara në Fletoren Zyrtare, subjektet që kërkojnë të pajisen me licencë në kategorinë “Baste sportive online”, duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në Shqipëri dhe të regjistruar në QKB; të kenë një shumë kapitali jo më pak se 40 milionë lekë; përvojë me aktivitetin e lojërave të fatit, etj. Qeveria planifikon të mbledhë 2 miliardë lekë të ardhura në vit nga rihapja e basteve sportive, para të cilat do të derdhen në një fond të posaçëm për zhvillimin e sportit.

Tv Klan