Historia e veçantë e Emiliano Lule, i cili në studio ka prezantuar dhe risinë e bibliotekës zanore

Programi “Historia ime” nën moderimin e Mirela Milorit në Tv Klan, ka trajtuar një nismë që lehtëson jetën e të verbërve, pikërisht bibliotekën dixhitale.

Të paktën 500 mijë Dollarë nevojiten për ndërtimin e kësaj bibloteke. Kjo nismë është mbështetur nga një numër i madh njerëzish të medias dhe politikës.

I ftuar në studio ka qenë Emiliano Lule, një personazh mjaft i njohur për publikun që ka sjellë edhe nismën e radhës, atë të biblotekës zanore.

Mirela Milori: Emiliano më thuaj pak për idenë e Bibliotekës Zanore dhe si mundesh ta aplikosh këtë?

Emiliano: Është diçka që e vuan nën lëkurë një njeri që nuk shikon, nuk është as për t’u mburrur. Kjo është diçka që në botë ekziston dhe unë mendoj që është momenti që në Shqipëri, gjithë njerëzit që nuk shikojnë potencialisht kanë nevojë për këtë gjë. Nuk është e Emiljanos, as e Mirelës, e askujt, është një sistem që do sjellë zhvillim madhor në edukimin special në Shqipëri. Prandaj është një biblotekë ku do ketë të gjithë librat, në të gjithë formatet, audio, pra me zë të regjistruar, formate në tekst, formate që janë gati që i merr dhe i printon.

Mirela Milori: Është shumë e njohur në botë?

Emiliano: Në botë të gjithë të verbrit funksionojnë në këtë mënyrë.

Mirela Milori: Nga pikëpamja morfologjike është e mundur adoptimi, është bërë fjalori?

Emiliano: Fjalori morfologjik i gjuhës shqipe është bërë me mbështetjen e disa aktorëve të rëndësishëm. Një kompani e fuqishme telefonike e ka marrë përsipër, e ka njohur si nevojë dhe e ka mbështetur për më shumë se 5 vite. Tani ne kemi mbyllur pjesën e parë të fjalorit morfologjik, pra gjithë këto vite shërbyen.

Emiliano në studio ka ndarë gjithashtu edhe historinë e jetës së tij. Ai nuk ka lindur i verbër, por pas një operacioni jeta e tij ndryshoi tërësisht.

Mirela Milori: Kur ndodhi, në 2001?

Emiliano: Më 1 Mars të 2001.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Emiliano: Mbarova sezonin dhe shkova për të bërë një ndërhyrje në Moskë. E gjykuan që duhet të bëj një ndërhyrje për të hequr një copë metali që kishte mbetur aty prej ’97 nga një shpërthim. Futem në operacion me 100% shikim dhe dal nga operacioni pa shikim.

Mirela Milori: Ishe student?

Emiliano:  Po!

Mirela Milori: Çfarë ndodhte kur shkoje në korpus?

Emiliano: Asgjë nuk ndodh rastësisht në jetë. Inxhinieria më ndihmoi më pas që t’i futesha gjithë botës së elektronikës dhe kjo është pika kulmore që unë mora gjithë atë hov dhe fillova të kuptoj si të jem i pavarur dhe prandaj jam dhe këtu tani se ndryshe nuk do isha. Në korpus e kisha aq të qartë gjithë strukturën, saqë në një moment të caktuar kam menduar të hidhem nga kati i 12 i korpusit. Nuk e kam as për droje, as për turp sepse në gjendje depresioni dhe ankthi nuk ka njeri që mos mendojë gjëra të tilla.

Mirela Milori: Unë të kërkova fotografi dhe ti më the nuk kam. Çfarë ndodhi?

Emiliano: Fotografi nuk kam sepse në një nga këto momentet e mia të krizës që kisha humbur shikimin dhe që nuk dihej ende në atë fazë. Për shumë kohë m’u tha që mund të shikoja prapë edhe unë zhvillova pritshmëritë që mund të shikoja prapë. Ndërkohë kjo s’ishte e vërtetë, ishte thjesht një teknikë që e përdorën mjekët dikur, që menduan ata, por teknika ishte e gabuar. Në ato momente kur gjendem duke rregulluar gjërat e mia me fotografitë, imagjino që mban fotografi që i ke parë pak muaj më parë dhe tani i ke në dorë dhe nuk i sheh dot më dhe i grisa të gjitha. Nuk kam asnjë foto nga 2001 e më parë.

Mirela Milori: Sheh ëndrra?

Emiliano: Shoh ëndrra dhe kujtoj që pesë vitet e para, 2001-2006, kam parë një ëndërr për 5 ditë rresht. Endërra ishte: Isha unë vetë në ëndërr, mund të kem qenë në endërr në moshën 6 ose 7 vjeç, ishte kohë vjeshte, një shtëpi e vjetër dy-katëshe me bimë kacavjerrëse dhe një shkallë druri shumë e gjatë e mbështetur tek dritarja e katit të dytë. Në momentin që ngjitesha në shkallë kur vija afër për t’u futur në dritare, shkalla kthehej dhe unë bija pastaj. /tvklan.al