I burgosuri kërkon ndihmë, akuzohet për marijuanë në dhomën e izolimit (Video)



I burgosuri kërkon ndihmë, akuzohet për marijuanë në dhomën e izolimit (Video)

21:15 28/03/2019

Emilent Dhepa, i dënuar me 12 vjet heqje lirie, ishte duke kryer dënimin në burgun e Fierit. Por administrata e burgut vendosi të transferojë disa të dënuar në Vlorë, e mes tyre ishte dhe Emilenti. Më parë u bë një kontroll nëpër dhoma, ku Emilentit nuk iu gjet asgjë e dyshimtë. Kohë më vonë, OPGJ-ja Niko Kurti e thërret dhe e akuzon, se në burgun e Fierit, ku kishte qenë, se i është gjetur një sasi marijuane. Madje për këtë i ishte bërë dhe një gjyq nga Roland Hysi dhe i dënuari ishte shpallur sërish fajtor.

Gazetari- 

Përshëndetje! Si ju quajnë dhe nga na telefononi?

Denoncuesi-

Përshëndetje! Quhem Emiljan Dhepa, jam nga Tirana dhe ju marr nga burgu IJVP Vlorë. Kam qenë në burgun e Fierit për rreth 4 vjet. Para se të transferohesha në Vlorë vëlla, më është bërë një kontroll i rreptësishëm, mund të verifikoni nga kamerat e sigurisë, mund të verifikohet nga librat e shërbimit, nga gjithçka. Është bërë kontrolli në prezencë të shefit të policisë dhe të gjithë grupeve të gatshme, kontroll i dhomës imtësisht. Na kanë çmontuar penxhere dhe çdo lloj gjëje.

Gazetari-

E mban mend datën dhe orën, se kur ka hyrë grupi i kontrollit?

Denoncuesi-

Ka qenë data rreth 26-27 Gusht.

Gazetari-

Gusht të vitit?

Denoncuesi-

Ka qenë ora rreth 6:05, 6:10. Kam qenë duke fol në telefon në kabinë, kur më ka ardh shefi i përgjithshëm i grupit të gatshëm, kam ndërprerë bisedën me vrap, sepse do bëhet kontroll dhome. Kontrolli i dhomës ka vazhduar në 6:10 të darkës, shihe në librat e shërbimit, kamerat dhe çdo gjë dhe ka mbaruar rreth orës 8 e gjysmë. 2 orë e ca kontroll në dhomë.

Gazetari-

Kontrolli, që është bërë, është bërë në prezencën tuaj dhe të burgosurve të tjerë?

Denoncuesi-

Në prezencën time normal, normal në prezencën time kontrolli!

Gazetari-

Çfarë u gjet në kontrollin, që u bë?

Denoncuesi-

Asnjë lloj gjëje, asnjë lloj gjëje. Mbaroi kontrolli, natën e mirë, natën e mirë. Vazhduam duke sistemu të gjithë rrobat dhe dyshekët, gjërat, që ka dhoma edhe kaq.

Gazetari-

Kur jeni transferuar në burgun e Vlorës?

Denoncuesi-

Me 28 a 29 Gusht jam transferuar në Vlorë. Kur jam transferu nga Vlora vëlla,  pa dalë nga IJVP Fier, jam kontrolluar dhe në dhomë, më kontrolluan në prezencë të grupit të gatshëm. Janë kontrolluar dhe sendet e mia personale të gjitha, pastaj jam transferuar me furgonin e Drejtorisë së  Përgjithshëm të Burgjeve në IJVP Vlorë. Ku edhe këtu, siç është rregulli, kontrollohesh me skaner e me të gjitha gjërat.

Gazetari-

Po çfarë ndodhi më pas, çfarë ndodhi më pas?

Denoncuesi-

Me datën 30 Gusht, më ka ardhur një, më erdhi një oficer një Niko Kurti, oficer i policisë gjyqësore dhe më komunikoi një tip dokumenti dhe më thotë: “Mos u shqetëso, nuk kam ardhur, që të marr ty si i pandehur, por thjeshtë një dijeni, sepse tek dhoma, ku ke qenë ti, në tavolinën e hekurit të IJVP-së Fier, diku janë salduar dhe montuar në tokë edhe në mure, në një tub brenda është zbërthyer një tavolinë dhe është gjetur një lëndë narkotike”. Mirë,- i thashë,- jam i gatshëm të jap shenja gishtash analizë urine, analizë gjaku, çfarë të duash,- i thashë, -nuk kam lidhje fare,-i thashë,- nuk kam lidhje fare me lëndën narkotike, as me drogën as me gjëra. Jam baba i tre fëmijëve zotni, dhe po kryej dënimin tim për hallet e mia.

Gazetari-

Zotëri! Në momentin, që është kontrolluar dhoma juaj për rreth dy orë, ashtu siç e thatë juve, a është kontrolluar dhe kjo tavolinë?

Denoncuesi-

Po, por tavolinat kanë qenë të bukës, o vëllai im. Pas 6 muajsh, me datën 3 dhjetor më sjell juristja e burgut një vendim të marrë nga një gjyqtar Roland Hysi, ku thoshte: “Prokurore Eglantina Shehu, prezent Emiljan Dhepa”. Unë o vëllai im, n.q.s kam qenë unë prezent në gjyq, mua le t’më japi drejtësia, shteti 200 milionë vjet burg për atë Zot, që është lart! Kam Zotin dëshmitar!

Gazetari-

Ju ndërkohë keni qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Vlorës dhe rezultonit prezent në gjykatën e Fierit?

Denoncuesi-

Në ditën, që unë kam qenë për masë arresti në Fier, me datën 3 Dhjetor deri me datën 10 janar, n’gjyq, ku ishte një gjyqtare, nuk ia kujtoj emrin të them të drejtën edhe i thotë gjyqtarja prokurores: “Për çfarë është ky i pandehuri?” I thotë- “Akuzohet për lëndë narkotike, ku është kap tek dhoma, ku ka qenë ky, është kapur lëndë narkotike”, dhe i thotë gjyqtarja, prokurores Eglantina Shehu, – “ nuk mund t’i japim dot masë arresti, pa patur rastin e provës. Si t’ia bëjmë”?! Kjo ngre supet prapë. Gjyqtarja, e ke me video me audio me çdo gjë, më thotë mua tekstualisht – “po ç’ke more zotëri, nuk ke asnjë gjë. Ç’ke? Do marrë fund kjo gjë, nuk ke as fakte, as prova, qetësohu, ulu”. Dakord! Gjykata thërriti për vendim. U vonuan nja gjysmë ore, vjen gjyqtarja, hap atë librin e madh, a ça e ka atë, gjykata thotë arrest me burg. Bam, bam e mbyll atë dhe çohen ikin. “Gjyqtare”, -i them unë – “si ma dhe këtë masë arresti?” S’më japin shpjegim, kthejnë kurrizin dhe ikin.

Dhepa deklaron, se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo lloj testi, për të provuar, që nuk ka gisht në marijuanën e gjetur.

 






Të ngjashme