Vajza e familjes: I bëj apel prokurorisë të japë dënimin që ata meritojnë

Më 8 Tetor të 2019-s, emisioni “Stop” transmetoi një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur mesnatën e 11 Prillit në Fermë të Cërrikut, ku 3 persona të maskuar grabitën familjen Sherifi në një banesë private 2-katëshe.

Flokrida Sherifi, vajza e familjes, tregoi se 3 personat me maska, armë zjarri e leva, thyen xhamin e dritares dhe u futën në dhomën e gjumit, duke kërcënuar me armë. Mamanë e lidhën, e po ashtu keqtrajtuan fizikisht vetë Flokridën. Ata morën 2 milionë lekë dhe u larguan të frikësuar nga britmat e grave të shtëpisë.

Vajza tregoi se dy kamerat e sigurisë kanë marrë pamje të qarta dhe ajo ka njohur agresorët: Xhuljo Cela, Erand Bajrami dhe Aurel Brace, dy komshinj dhe një kushëri.

3 grabitësit u shoqëruan për disa orë në polici dhe më pas u lanë të lirë. Tre muaj më pas, pas shkresës së drejtuar Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan na vjen përgjigja se ka nisur procedimi penal më 24 Prill të 2019-s dhe çështja është ende nën hetim. Por “Stop” mëson se dy nga grabitësit janë larguar nga Shqipëria.

Çfarë ka ndodhur me këtë rast sot, kur kanë kaluar 3 muaj? Pas shkresës së emisionit Stop, në përgjigjen e saj, Prokuroria e Elbasanit shprehet se ka regjistruar procedim penal për vjedhje me dhunë në bashkëpunim dhe se përgjatë kësaj kohe janë duke u kryer hetime, për këtë arsye ndalohet publikimi qoftë dhe i pjesshëm i akteve sekrete që lidhen me çështjen.

“Si thatë? Sekrete? Po ku qëndron sekreti këtu? Sepse nga 3 grabitës, 2 prej tyre na panë nga ekrani i televizorit duke ngrënë kokoshka për qejfin e tyre? Mesiguri e keni pasur për grabitësin numër 3, ndoshta i druheni atij”, shprehet gazetarja e Stop, pasi lexoi shkresën e mbërritur në redaksi nga organi i akuzës.

Ndërkohë vetë denoncuesja Flokrida Sherifi, e rikthyer në Stop tregon se i dyshuari i tretë vijon të jetojë në Cërrik dhe nuk është bërë asnjëlloj veprimi për asnjërin prej tyre.

Apeli i saj është: “I bëj apel Prokurorisë së Elbasanit që të marrë vendimin që i takon, duhet të japë dënimin që ata meritojnë”./tvklan.al