Maqedonia e Veriut do të mbizotërohet nga moti ekstrem deri të premten

Sinoptikanët në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar se vendi gjatë dy ditëve të enjten dhe të premten, do të jetë në fazën e portokalltë, për shkak të motit ekstrem të nxehtë. MSH-ja përmes një komunikim ka rekomanduar që punëdhënësit dhe institucionet t’i respektojnë obligimet ligjore dhe të mos i ekspozojnë të punësuarit në temperatura të larta dhe të mbrojnë shëndetin e tyre.

Mjekët thonë se moti i nxehtë, për momentin nuk ka shtuar vëllimin e tyre të punës dhe nuk ka rritur numrin e pacientëve.

“Numri i pacientëve që paraqiten në ndihëm e shpejtë dhe këkrojnë ndihmën e nevojshme, është deri diku një standard normal për këtë kohë. I kemi këto virozat gastrointensinale, po ashtu kemi edhe raste të dehidrimit”, është shprehur mjeku Gent Neziri.

Mjekët kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes se çfarë ushqimi konsumojnë gjatë kësaj periudhe. Kujdes të veçantë duhet të kenë kategoritë më të rrezikuar sidomos mosha e tretë.

“Pacientët vijnë këtu zakonisht të dehidruar, me vjellje dhe diare. Sasia më e madhe e lëngjeve, largimi nga temperaturat domethënë nga hapësirat e hapur, gjithashtu të kenë kujdes sidomos personat që janë në moshë të shtyrë”, është shprehur ai.

Krahas motit të nxehtë, autoritetet e vendit përballen edhe me ndotjen e madhe të ajrit. Masa e nxehtë ajrore që sjell pluhur mund të jetë arsyeja për rritjen e vlerave të grimcave PM10 gjatë dy ditëve të kaluara, kanë thënë nga Ministria e Mjedisit. Erërat e shkretëtirës, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, mund të zgjasin edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa nga Ministria paralajmërojnë edhe kontrolle për burimet tjera të ndotjes. 

Klan News