Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin nismën e PS për të luftuar korrupsionin nëpërmjet një projekt-rezolute. Teksa e konsiderojnë një angazhim premtues, Ambasada e Shteteve të Bashkuara thotë se është në krah të çdo përpjekjeJE që çon përpara reformat.

“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike.”

Ndër të tjera, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën thirrje për sa më shumë pjesmarrje.

“Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues.”

Partia Socialiste kërkon të ngrejë një strukturë të posaçme parlamentare, në bashkëpunim me të gjitha forcat politike dhe grupet e interesit për të punuar për reformat, por sidomos për të luftuar korrupsionin.

Klan News