Më 4 Mars 1999, 3 persona hynë në mënyrë të dhunshme në shtëpinë e Belul Dervishit, në Pobrat të Elbasanit, duke marrë peng foshnjën 7-muajshe. Nga aksioni i Reneas, fëmija plagoset dhe nis kalvarin mjekësor. Vajza sot është 19 vjeç dhe duhet të kryejë sërish ndërhyrje në këmbë. Ajo që babë e bijë kërkojnë është dëmshpërblimi nga policia e shtetit për plagosjen e vitit ’99. Në përgjigjen e dhënë për emisionin “STOP”, policia thotë se dëmshpërblimi do të planifikohet në buxhetin e vitit 2018.

“Me sa më kanë treguar prindërit e mi, në shtëpi kanë hyrë 3 kriminelë, ku gjetën mamin dhe mua. Mua më morën peng që t’i shpëtonin policisë, por fatkeqësisht policia qëlloi drejt meje, një plumb më shkoi tej-përtej trupit dhe një më preku këmbën e djathtë. Për shkak të kësaj, u desh të më pritej këmba e djathtë dhe gjatë gjithë kësaj kohe unë kam jetuar me protezë. Pak vite pas kësaj ndodhie, më duhej t’i nënshtrohesha një operacioni për të prerë kockën e këmbës, për shkak të rritjes. Sot jam 19 vjeç dhe më duhet t’i nënshtrohem përsëri të njëjtit operacion. Kjo ngjarje nuk ka për t’u harruar kurrë, si për prindërit e mi, ashtu edhe për mua, kjo do ngelet një plagë fizike dhe psikologjike!”

Jonada Dervishi rrëfen se nuk e përballojnë dot këtë operacion, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ndaj kërkon dëmshpërblim nga shteti për dëmin që i kanë shkaktuar. Ndërsa i ati, Beluli shprehet se kjo ngjarje ka qenë tragjike për të dhe familjen e tij. Atij i është dashur të shesë shtëpinë dhe të marrë kredi për të përballuar shpenzimet e operacionit dhe kurimit të të bijës në Itali.

“Kjo ka ardhur vetëm nga një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme e forcave të policisë, të Reneas. Bilanci i shpenzimeve është tepër i lartë, ndërsa me fatura shpenzimet që kam bërë vetëm për vajzën shkojnë rreth 220.000-230.000 euro. Unë jam në një situatë aq shumë të vështirë. Në vendimin e gjykatës thuhet se dëmshpërblimi do të bëhej me një këst dhe brenda 6 muajsh. Ne nuk po zgjidhim dot problemin që kam kaq emergjent, jo më të mendoj për më tutje!”

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Drejtorisë së Policisë së Shtetit për të pyetur se përse nuk ekzekutohet vendimi i Gjykatës Administrative për të dëmshpërblyer Jonada Dervishin. Në përgjigjen e ardhur nga Policia e Shtetit thuhet se aktualisht po hartohet database për vendimet gjyqësore që kanë marrë formë të prerë, e cila do të likujdohet me buxhetin e vitit 2018, por me kërkesën e Belul Dervishit për nevojën emergjente të kurimit në Itali për vendosjen e protezës, Drejtori i Policisë së Shtetit urdhëroi likuidimin pjesor të detyrimit si rast human specifik, me shumën prej 3 milionë e 500 mijë lekësh të reja, ndërsa pjesa tjetër do të trajtohet sipas procedurave ligjore.

Shpresojmë që kjo vlerë monetare të mjaftojë për operacionin e Jonadës dhe që gjithçka të shkojë më së miri./tvklan.al