Artan Kaboçi është personi i cili u arrestua nga policia pasi hapi zjarr në drejtim të efektivëve të policisë, mbrëmjen e kësaj të premteje në fshatin Mëhallas të Divjakës.

Gazetarja Anila Sefa raporton nga vendngjarja për Klan News se fillimisht 34-vjeçari ka qëlluar në ajër dhe pasi kanë ardhur forcat policore, ai ka qëlluar në drejtim të makinave të policisë.

Më pas policia i ka bërë thirrje që të dorëzojë armën, por ky i fundit nuk është bindur. Madje nën kërcënimin e armëve, ai ka marrë furgonin e policisë dhe i ka detyruar policët të shtrihen në tokë.

Më pas i ka zbritur personat e tjerë nga furgoni i policisë dhe ka marrë drejtimin e mjetit duke u larguar në drejtim të paditur.

Sipas burimeve, është lajmëruar Policia e Fierit, forcat Shqiponja dhe FNSH-së, të cilët kanë ardhur menjëherë në vendngjarje.

Madje në vendngjarje është vënë edhe një postbllok prej tre policësh në hyrje të zonës së Gradishtes, ku është edhe fshati Mëhallas. Automjetet e tyre nuk lejojnë askënd që të hyjë në zonën ku ka ndodhur ngjarja.

Mësohet se aty ka ardhur edhe drejtori i policisë Fier, Bledar Qeliku dhe drejtorë të policisë së Tiranës. Janë 3 automjete të blinduara dhe 5 automjete të tjera të ardhura nga Tirana.

Gjithashtu, gazetarja Anila Sefa bën me dije se Kaboçi njihej në zonë si një person me probleme mendore që shpesh konsumonte alkool dhe shkaktonte debate e sherre të shumta në fshat.

Ndërkohë, policia në një njoftim për mediat tha:

Sot rreth orës 19:30, në Sallën Operative ka ardhur një njoftim se në fshatin Gradishtë, në banesën e shtetasit A. K., 34 vjeç, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar shërbimet e policisë të cilët kanë bërë rrethimin e banesës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje shtetasit A.K të hidhte armën por 34-vjeçari nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe në tentativë për tu larguar ka dëmtuar me sende të forta tre mjete të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Klan News